Taksimi zero për të ardhurat deri në 400 mijë lekë/ Dilema e Ramës: Nuk dimë a ta bëjmë në vitin 2022 apo 2023

04/03/2021 14:28

Kryeministri Edi Rama është takuar me përfaqësuesit e bujtinave në Lezhë, ku ka folur për planin e veprimit të Partisë Socialiste për vitet e ardhshme në rast se do të marrë mandatin e tretë.

Rama sqaroi se do të zerojnë taksën për të gjithë ata që fitojnë të ardhura deri në 400 mijë lekë duke thënë se  ende nuk e kanë vendosur nëse do e realizojnë në vitin 2022 apo 2023.

Rama: Për ne nuk është fushatë elektorale tipike. Është një ndeshje që do ta bëjmë deri në fund. Jemi dhe do të jemi në qeveri, pavarësisht ca thonë. Ne kemi dhe gurin dhe arrën, dhe gurin për të thënë “po”, por dhe arrën për ta vënë përpara. Kështu që, prandaj nuk kemi program elektoral, por plan veprimi se çfarë do bëjmë.

Ndër to, të gjitha do i bëjmë se janë të planifikuara. Njerëzit mendojnë se në fushatë, politikanët mashtrojnë e gënjejnë, por nuk është e vërtetë. Ka shumë të tillë, e vërtetë por ka dhe të tjerë që i bëjnë. Jo të gjitha ato që bëhen, bëhen në atë kohë që premtohen se pastaj jeta është ajo që ndodh, ndërkohë që ne kemi bërë plane tjera.

Tërmeti të ndryshon situatën, përmbytja të ndryshon situatën, pandemia të ndryshon situatën dhe detyrohesh ti modifikosh planet e tua. Nuk është se ke gënjyer e mashtruar e t’i them kalit “ku të kam pa”. Prandaj nuk thonë kot që fushata është poezi, qeverisja është prozë. Por nuk jemi në kushtet që të bëjmë qeveri dhe duhet të ndajmë me njerëzit prozën tonë.

Për një masë po debatojmë ende dhe për pak ditë duhet ta publikojmë, por nuk e dimë ende a ta shkruajmë se do e bëjmë në 2022 apo 2023. Masën për të zeruar taksën jo deri tek 300 mijë lekëshi, por deri tek 400 mijë lekëshi. Pra kush fiton 400  mijë lekë, nuk paguan taksë mbi të ardhurat, që faktikisht fut brenda 67% të të gjithë punëmarrësve në Shqipëri pa taksë mbi rrogën.

Top Channel