I dha fund jetës duke u hedhur nga spitali Covid 2, mesazhi prekës i nënës: Më 5 mars është ditëlindja e 30-të, të zvogëlojmë sado pak distancën

04/03/2021 14:02

I riu Xhino Koça, i cili i dha fund jetës më 13 gusht të vitit 2020 duke u hedhur nga dritarja e katit të tretë në spitalin ku po kurohej pasi ishte i infektuar me koronavirus.

Ditën e sotme, ai do të festonte 30 vjetorin e lindjes. Nëna e tij, Lira Koça ka kujtuar të birin me një mesazh prekës teksa ka treguar se këtë vit do të lëshohen 30 pëllumba e tollumbace të bardha drejt qiellit.

“Data 5 Mars është një nga datat e shënuara për familjen tonë. Çdo prag 5 Marsi, ne bëheshim gati të festonim ditëlindjen e të voglit të shtëpisë, Xhinos.

Këtë vit është ditëlindja e 30-të e djalit tonë… 30 pëllumba dhe 30 tollumbacë të bardhë do të lëshohen drejt qiellit duke u kthyer në simbol të përqafimit tonë për Xhinon. Më 5 mars, ora 17:00 tek sheshi para Sfinksit ju që do keni dëshirë të merrni pjesë në këtë përvjetor të Xhinos jeni të mirëpritur.

Familjarë, të afërm, miq e të njohur, të gjithë bashkë në këtë ditëlindje ndryshe. Për të zvogëluar sado pak distancën që mungesa fizike e Xhinos na bën të jetojmë. Përgjithmonë me ne Xhino”, shkruan stilistja e njohur Lira Koça në Instagram.

Top Channel