Blinken: Kina është sprova më e madhe gjeopolike në botë

04/03/2021 05:15

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi të mërkurën se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë sprova “më e madhe gjeopolike” e shekullit.

Në fjalimin e tij të parë madhor mbi politikën e jashtme, zoti Blinken tha se admininistrata e Presidentit Biden do të “menaxhojë” lidhjet me Kinën “nga pozita e fuqisë”. “Kjo kërkon angazhim në diplomaci dhe organizatat ndërkombëtare, sepse atje ku jemi tërhequr, Kina ka mbushur boshllëkun”, tha zoti Blinken gjatë një fjalimi në Departamentin e Shtetit.

Kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni do të vazhdojë të konkurrojë, bashkëpunojë dhe nëse është e nevojshme do të jetë “kundërshtar” me Kinën, të cilën e quajti “i vetmi vend me fuqi ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike që mund të sfidojë seriozisht sistemin e qëndrueshëm dhe të hapur ndërkombëtar – të gjitha rregullat, vlerat dhe marrëdhëniet që e bëjnë funskionimin e botës ashtu siç duam ne”.

Fjalimi i kryediplomatit Blinken shpaloi strategjinë e Presidentit Biden për të “ripërtërirë fuqinë e Amerikës” në arenën globale, me premtimin për të “udhëhequr me diplomaci”. Gjatë gjithë precidencës së tij, pararendësi i zotit Biden, Presidenti Donald Trump zhvilloi një luftë të ashpër tregtare me Pekinin, këmbëngulur në pretendimin se koronavirusi e kishte origjinën nga një laborator në qytetin Wuhan të Kinës, dhe sfidoi kontrollin ushtarak të Pekinit në zonën e Detit të Kinës së Jugut ku kanë pretendime disa vende rajonale.

Dezinformimi për COVID-19
Zoti Blinken tha se mes synimeve kryesore të politikës së jashtme të administratës së Presidentit Biden përfshihet edhe puna për të frenuar pandeminë globale të koronavirusit, ndërtimi i një ekonomie globale më gjithëpërfshirëse dhe trajtimi i kërcënimit global në rrije ndaj demokracisë që u ndez edhe më shumë nga pandemia.

“Erozioni i demokracisë nuk po ndodh vetëm në vende të tjera. Po ndodh gjithashtu këtu në Shtetet e Bashkuara. Dezinformimi është i shfrenuar këtu. Racizmi strukturor dhe pabarazia e bëjnë jetën më të vështirë për miliona njerëz. Udhëheqësit e zgjedhur u vunë në shënjestër gjatë sulmit në Kapitol dy muaj më parë”, tha zoti Blinken. “Tani popuj të tjerë shikojnë nga ne për të parë nëse demokracia jonë është e fuqishme, nëse ne do të arrijmë t’i përballojmë sfidat në vend”.

Ripërtëritja e marrëdhënieve
Riparimi i marrëdhënieve me aleatët, trajtimi i ndryshimeve klimatike dhe fuqizimi i një “revolucioni të gjelbër energjetik” janë po ashtu në listën e përparësive të politikës së jashtme të Presidentit Biden, ashtu siç është edhe ruajtja e epërsisë në teknologji. “Ne duam që Amerika të ruajë avantazhin shkencor dhe teknologjik sepse është kritike që ne të lulëzojmë në një ekonomi të shekullit 21.

Por ne e dimë që teknologjitë e reja nuk janë automatikisht të dobishme”, tha zoti Blinken. “Ne duhet të sigurohemi që teknologjitë mbrojnë privacinë tuaj, e bëjnë botën më të sigurtë, më të shëndetshme dhe e bëjnë demokracinë më të fuqishme.” Kryediplomati amerikan tha muajin e shkuar se administrata e Presidentit Biden do të kërkojë gjithashtu të forcojë dhe zgjasë marrëveshjen bërthamore të arritur mes Iranit dhe fuqive botërore./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA