Alo Dr. Najada, Edi Rama jam, eja në PS/ Çupi e Zheji komentojnë lëvizjen surprizë të kryeministrit

04/03/2021 16:50

Kryeministri, Edi Rama dhe kryetari i Partisë Socialiste ftoi sot publikisht, shefen e infektivit, Najada Çomon të jetë në listat e e kandidatëve të majtë për deputetë në zgjedhjen parlamentare.

Sipas analistit, Artur Zheji, me këtë zhvillim ka humbur shtabi i luftë anticovid në Shqipëri. “Politika në këtë rast fitoi por humbi Shqipëria dhe realiteti shqiptar”.

Zheji thotë se do të jetë më e vështirë për Najada Çomon sepse pas i ka bërë betimin e Hipokratit për profesionin e saj në mjekësit, tashmë i shtohet betimi i partisë. “Kemi parë dështimet e mjekësve. Mjeku ka betimin e Hipokratit, nuk është shaka të jesh mjek. Nëse të kërkohet një betim i dytë, ai i partisë, duhet sërish të zgjedhin Biblën e Hipokratit.  Varet nga integriteti personal i Çomos nëse do të jetë besnike e Hipokratit apo partisë”.

Analisti, Frrok Çupi e shpjegon zgjedhjen e shefes së infektivit nga këndvështrimi i tij. “Edhe doktoresha, edhe Rama ndodhen para dy pandemive, pandemisë së shëndetit dhe pandemisë së parlamentit. Parlamenti është shumë i dobët dhe po e qortojnë të gjithë. Nuk mund të përcaktojmë a bëri mirë Najada Çomo”.

Mejithatë shton se realiteti në vend, i ndikuar fort nga politika, imponon vendime të tilla.

Politika akoma është Zoti i të gjithëve. Nëse nuk je afër politikës, edhe Aristoteli të jesh nuk ka vlerë. Unë e çmoj faktin që politika shtrin duart te personalitetet, si Najada. Ndoshta pas akuzave se përse nuk kemi një parlament elitar, Najada besoj se do të jetë themeli i pozitivitetit në parlament. Përdorimi politik është i pavlerë, por në Shqipëri, politika është pika e parë dhe pika e fundit e ditës”.

Top Channel