U lidh me zinxhir para bashkisë së Lezhës/ Çfarë kërkon protestuesi që pretendon se po i vjedhin pronën

03/03/2021 11:01

Protestuesi  i identifikuar si Huanito Martinaj thotë se po i vjedhin pronën që ka në Balldrën dhe kërkon të takojë përfaqësues të Inspektoratit të Ndërtimit për t’u larguar.

Unë kam dy tre vite që trokas në dyert e Lezhës. Ka 300 vite familja ime që jeton në kodër të Balldrënit, por cubat e Lezhës vetë e kanë dhënë vendimin e prishjes së ndërtimit, vetë nuk e zbatojnë. Dua që bashkia të kapë këta hajdutë pronash. Në shtëpinë time, që ndodhet po te prona ime, ata kanë ndërtuar themelet e tyre. Unë nuk po të kërkoj më shumë, dua të rri një orë, dua që të prenoncohet kryetari i bashkisë, dua njoftimin e IKMT-së që i ka nxjerrë këto vendime. Shesin pronat  e mia, blejnë makina të shtrenjta cubat e Balldrënit. Dua të kapen dhe t’i kërkohen llogari, jo t’i lirojë prokuroria”, janë fjalët e qytetarit teksa qëndron i lidhur me zinxhir pranë bashkisë së Lezhës.

Madje deklaron se nëse nuk gjen zgjidhje do të hyjë në grevë urie. “Unë do të futem edhe në grevë urie, deri sa të gjej zgjidhje, nuk do të lejoj të ma marrin tokën. Në 2019 qëndrova te babai në Tiranë, ata kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë ndërtuar te toka ime. Po bëjnë pisllëqe me pronën time”.

Më vonë, protestuesi është shoqëruar nga policia drejt komisariatit e policisë.

Top Channel