Testohet aeroporti i Kukësit/ Balluku: Do shpallet fituesi i Vlorës. Aeroport edhe në Sarandë e Korçë

03/03/2021 15:31

Ka nisur sot testimi i uljes së avionëve në Aeroportin e Kukësit, ku po punohet me ritme të shpejta për të mundësuar hapjen e tij në Prill të këtij viti, ashtu siç ka premtuar qeveria.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e pranishme në këtë proces tha se vënia në punë e këtij aeroporti pritet të ulë ndjeshëm çmimet e fluturimeve për udhëtarët.

Balluku: Punimet kanë avancuar dhe terminali është drejt përfundimit, janë kryer rreth 80% të punimeve këtu dhe në pjesë të tjera dhe shpresojmë që të përfundojmë të gjithë procesin deri në fund të muajit.

Deri në përfundim të tij duhet të plotësojmë të gjitha kushtet dhe standardet e duhura. Me nisjen e operimit të tij do të ketë çmime më të lira dhe patjetër shërbime më cilësore për të gjithë.

Detaje Balluku dha edhe për aeroportin e Vlorës, ku pritet që në ditët në viji të shpallet edhe kompania fituese që do të ndërtojë këtë vepër, teksa shtoi se brenda 4 viteve të ardhshme do të nisë puna edhe për 2 aeroporte të tjera, atë të Sarandës dhe Korçës që do të shërbejnë kryesisht për turizëm.

Balluku: Pas pak ditësh do të kemi edhe fituesin e garës për ndërtimin e Aeroportin të Vlorës, një zhvillim i madh i aviacionit. Ndërkohë , dua të shtoj se brenda 4-vjeçarit të ardhshëm do të nisim punën edhe për 2 aeroporte të tjera në vend vetëm për nevoja turistike, atë për aeroportin e Sarandës dhe Korçës.

Aktualisht, aeroporti ndërkombëtar i Rinasit është i vetmi funksionon në vend, i cili u ble pak kohë më parë nga kompania shqiptare Kastrati Group, që ka njoftuar për ulje të tarifave të udhëtarëve.

Top Channel