Rama: E di që ka batakçinj e pisanjosë që kanë futur duart në xhepin tuaj në emrin e PS! Jam i bindur se…

03/03/2021 10:37

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një monolog me fokus rrugën drejt 25 prillit dhe “Drejtësinë që duam” duke deklaruar se PS nuk është pa të meta, por gjërat po lëvizin.

Rama theksoi se nuk është engjëll por është i bindur që në fillimin e rrugës së re do të ketë më shumë drejtësi dhe pavarësi.

Rama: Unë nuk jam i dërguari i Zotit, as engjëll nuk jam. Të jem i sinqertë, PS dhe unë nuk jemi pa të meta, kemi bërë gabime që i dimë dhe ka mundësi që nuk i dimë. Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi nuk e kanë marrë të paktën një herë shërbimin që i takon.

Batakçinj e pisanjosë që e kanë njollosur në sytë tuaj emrin e kësaj partie duke futur duart në xhepin tuaj ka pasur dhe ka akoma, por PS nuk është as kishë dhe as xhami, është një vizion i njerëzishëm për Shqipërinë, është karakter i pakrahasueshëm me të tjerët dhe në kryebetejën që populli shqiptar meriton.

Gjërat po lëvizin, SPAK-u është futur në veprim. Tipik rasti i gjykatëses që ishte shitur kokë e këmbë tek krimi, me një karshillëk përbuzës ndaj një populli të tërë dhe e rrethuar me një servis lugësh që hanin çorbën e pisët të një korrupsioni të pistë në shërbim të të dënuarve për krimet më të rënda.

Jam i bindur dhe jemi të bindur që është fillimi i kësaj rruge të re, por do ketë gjithnjë e më shumë përmasat e pritshmërisë tuaj dhe më pak trajtën e neveritshme të banalitetit që na e kanë plasur shpirtin 30 vjet. Na duhet një drejtësi e drejtë, e pavarur.

Top Channel