Në kërkim ndërkombëtar për mashtrim financiar, italiani kapet në Vlorë

03/03/2021 10:28
Foto ilustruse

Një shtetas italian që ishte dënuar me rreth 13 vite burg nga Gjykata e Milanos është arrestuar në qytetin e Vlorës.

61-vjeçarit, Paolo Ali i është dhënë masa e dënimit 12 vjet, 10 muaj e 20 ditë burg pasi është vërtetuar nga Gjykata e Apelit në Milano se ka kryer mashtrim financiar.

Arrestimi u bë nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Vihet në pranga një shtetas italian i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Mashtrimi financiar”.

Arrestimi provizor i tij u bë nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me FAST Albania dhe  Interpol Tirana, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe FAST Albania, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor i shtetasit italian Paolo Ali, 61 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano, Itali, me vendimin e datës 08.07.2020, e ka dënuar me 12 vjet, 10 muaj e 20 ditë burg, për veprën penale “Mashtrimi financiar”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Top Channel