Gjonaj sulmon opozitën: I bën bashkë frika ndaj Reformës Në Drejtësi

03/03/2021 11:12

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi në konferencën “Drejtësia që duam” se Reforma në Drejtësi ka hedhur themelet e forta për të shpëtuar përgjithmonë gjyqësorin nga kthetrat e korrupsionit dhe solli dritë në fund të tunelit për Shqipërinë.

Gjonaj tha se reforma ka qenë një sfidë e përditshme dhe sipas saj opozita që sot ka bërë një marrëveshje është kundër kësaj reforme.

“Tashmë më lejoni të them se Reforma në Drejtësi një ide te kthyer në vizion është një realitet sot. Për ti dhënë qytetarëve një reformë që vetëm PS mund ta ideonte dhe zbatonte. Kemi pasur si kryefjalë në këto tetë vite reformën në drejtësi, që solli dritë në fund të tunelit. Përmes kësaj reforme kemi hedhur themelet e forta për të shpëtuar përgjithmonë gjyqësorin nga kthetrat e korrupsionit. Ka pasur përpjekje për ta ndaluar. Pavarësisht kësaj reforma është e pandalshme.

Rezultatet e saj janë dëshmi që e shohin të gjithë qytetarët. Reforma në drejtësi ka qenë një sfidë dhe luftë e përditshme. Gjithmonë kanë qenë dy krah si dy botë. Ne dhe pala tjetër që e ka goditur. Janë këta pala tjetër që janë bashkuar në një kontratë politike dhe interesash. I bën bashkë frika ndaj reformës në drejtësi.

Sistemi i ri i drejtësisë bazohet në një kuadër ligjor. U fuqizua më shumë nga paketa anti-KÇK. Të gjitha këto vetëm për të mbajtur të fortë dhe për të shpëtuar drejtësinë nga gjyqtarë të korruptuar”, u shpreh Gjonaj.

Top Channel