Gjonaj: Kemi punuar intensivisht për çrrënjosjen e korrupsionit, kemi ende shumë punë për të bërë

03/03/2021 11:20

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka folur për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit ndërsa theksonte arritjet e PS në këto vite.

Gjatë aktivitetit “rruga drejt 25 prillit”, “Drejtësia që duam”, Gjonaj tha se Shqipëria ka marrë shumë vlerësime ndërsa shtoi se ende kanë shumë punë për të bërë.

Gjonaj: Gjyqtarët e gjykatave të larta dhe prokurorët e SPAK kanë kaluar me sukses vettingun. E paprecedentë në këtë reformë ka qenë mbështetja financiare që i ka dhënë kjo mazhorancë dhe ka kapërcuar të gjitha vështirësitë tona. Kjo është dëshmi e pastër e vullnetit dhe mbështetjes. Buxheti i sistemit të drejtësisë është rritur me 4.4 miliardë lekë që prej vitit 2016.

Sot, sistemi i drejtësisë numëron 869 punonjës më shumë në të gjithë sistemin krahasuar kjo me periudhën para reformës në drejtësi. Pagat e punonjësve të sistemit janë rritur mesatarisht 101% më shumë se në vitin 2016.

Reforma në drejtësi është pranuar ndërkombëtarisht. Për çrrënjosjen e korrupsionit kemi punuar intensivisht, jemi të bindur që kemi ende shumë punë për të bërë. Task Forca kundër korrupsionit ka goditur intensivisht në administratë. Në luftën kundër korrupsionit, aleati kryesor janë qytetarët. Kemi ende për të bërë, por njohja e rezultateve të luftës kundër korrupsionit është më shumë e faktuar se kurrë. Për herë të parë, Shqipëria ka marrë vlerësimin më pozitiv nga GREKO në luftën kundër korrupsionit, gjithashtu në indeksin e Transparency International, Shqipëria është renditur 2 vende më lart. PS është e vetmja parti që mund të përballojë këto sfida me sukses.

Top Channel