Nis vaksinimi i të moshuarve në Durrës/ Brenda marsit përfundon vaksinimi i stafeve mjekësore dhe nis vaksinimi i mësuesve

02/03/2021 12:15

Pas mbërritjes së 15,210 dozave të vaksinës antiCOVID gjatë mbrëmjes së djeshme, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë ndjekur sot nga afër vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç në Durrës.

“Sot kemi hapur qendrën e vaksinimit të përqendruar në Durrës, kemi filluar me të moshuarit +80 dhe fashat janë ndarë nga mjeku familjes. Është mjeku familjes ai që përcakton kush do të vaksinohet i pari, duke u nisur nga ditëlindjet. Po bëhet një punë e mirë në të gjithë vendin. Deri më tani kemi kryer mbi 14 mijë vaksinime”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se vaksinimi i të gjithë stafeve mjekësore pritet të përfundojë brenda 15 marsit.

“Të gjithë mjekët dhe infermierët mbarojnë vaksinimin brenda 15 marsit. Sepse ka edhe mjekë, infermierë, të cilët praktikisht janë duke u vlerësuar që e kanë kaluar dhe mund ta bëjnë në një fazë të dytë. Pra, po bëhet një vlerësim dinamik. Janë kryer më shumë se 11 mijë vaksinime për mjekët dhe infermierët”, tha Manastirliu.

Duke folur për vijimin e procesit të vaksinimit, Manastirliu bëri me dije se me ardhjen e vaksinave të AstraZeneca, do të fillojë vaksinimi i mësuesve.

“Do të fillojmë me mësuesit. Do të bëhet një vaksinim, siç e kemi menduar, në shkolla. Ndaj jemi duke përzgjedhur edhe infermierët të cilët fillojnë trajnimin brenda kësaj jave”, bëri me dije Manastirliu.

Mbi 32 mijë vaksina të Pfizer kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, ndërsa pritet të vijojë furnizimi nga kontrata direkte me Pfizer, përgjatë muajit Mars, Prill e në vijim. Ndërsa, nëpërmjet instrumentit COVAX, pritet të mbërrijnë brenda dy javëve të para të marsit, 14,400 vaksina AstraZeneca dhe po vijojnë përpjeket për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA