Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen e Behar Sofisë, i cili u ekzekutua më 25 shkurt nga një distancë shumë e afërt, buzë trotuarit të lumit të Lanës.
Një dëshmitar me inicialet S.K. që punonte me kohë të pjesshme si shofer i viktimës i tha grupit të hetimit sipas burimeve të Top Channel se “gjatë kohës qe ishte me Behar Sofinë ai i ka shprehur shqetësim për një debat përmes telefonit me një sipërmarrës , të cilin me emër nuk e njeh. Po viktima i ka thënë se sipërmarrësi i ka vonuar pagesat për një dyqan që gjendet tek Unaza e re afër Astirit.”
Si ndodhi ekzekutimi?
Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.
Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Burimet shtojnë se ka një sinjalizim dhe lokalizim për vendndodhjen e autorit, por pritet një ndërhyrje nga ana e policisë. Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.
Kush është Behar Sofia?
Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv. Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.
Top Channel