Qindra njerëz janë arrestuar deri më tani në protestat e organizuara nga kundërshtarët e grushtit ushtarak të shtetit në Mianmar.
Sipas Anadolu Agency, rreth 800 njerëz janë arrestuar në protestat kundër puçit ushtarak në gjithë vendin pasi junta ushtarake mori pushtetin më 1 shkurt në Mianmar.
Shumë studentë të mjekësisë që demonstronin në Sheshin Hledan në Yangon u morën me automjete policie sot, ndërsa po ashtu u dëgjuan të shtëna me armë në shumë pjesë të qytetit.
Grushti i shtetit në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.
Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Disa vende, si SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja, kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve ushtarakë që organizuan puçin.
Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.
Suu Kyi, paraburgimi i së cilës u vazhdua dy herë, do të mbahet prapa grilave të paktën deri në fillimin e një seance gjyqësore që është caktuar për më 1 mars.
Top Channel