Dy ish të burgosur politikë dhe aktivistë të të Drejtave të Njeriut, Saimir Maloku dhe Daimir Maloku i janë drejtuar presidentit Ilir Meta dhe qeverisë që të vaksinohen 1.700 ish të burgosurit politikë.
Sipas tyre pothuajse të gjithë janë mbi 70 vjeç, imuniteti i tyre është i ulët nga vuajtjet e burgut dhe dhjetëra prej tyre kanë ndërruar jetë.
Ata i janë drejtuar Top Channel, ku sipas tyre vetëm në spitalin e Durrësit kanë ndërruar jetë pesë nga shokët e tyre bashkëvuajtës.
“I nderuar Shkëlqesia e juaj Ilir Meta -President i Republikës! Ju lutem në emër të Zotit dhe të Humanizmit , që të sensibilizoni qeverinë në mënyrë që të vaksinohen 1.700 ish të burgosurit politik, që janë akoma gjallë dhe pothuajse të gjithë mbi 70 vjeç. Kjo sepse imuniteti i shëndetit të tyre është i ulët nga vuajtjet e burgut. Kjo gjë është bërë në të gjithë Evropën Lindore dhe Qendrore. Kjo do të përshëndetet edhe nga BE dhe trupi diplomatik në Tiranë”, shkruan Saimir Maloku.
“Gjatë periudhës një vjeçare të pandemisë së covid-19 kanë vdekur me dhjetëra ish të burgosur politikë. Vetëm në Spitalin e Durrësit kanë vdekur pesë nga shokët tanë bashkëvuajtës si Ali Gjuzi , Adem Xhaferi , etj . Prandaj për humanizëm të lartë që duhet të tregojnë organet shtetërore duhet të bëhet vaksinimi i 1700 ish të burgosurve politikë dhe që janë dëshmitarët e fundit të gjallë të krimeve komuniste. Me respekt nga Daimir Maloku – ish i burgosur politik , humanist dhe aktvist i të Drejtave të Njeriut”, shkruan Daimir Maloku.
Top Channel