Ina Kollçaku drejton një zyrë imobiliare dhe thotë se shumë individë blejnë prona me emra të tjerë.
Diskutimi i sotëm në “Rrethi Katror” ishte në lidhje me paratë e pastra dhe paratë e pista. Ina tregon për rastet që ka hasur gjatë punës së saj.
“Nga eksperienca që kam në zyrën time, njoh shumë persona që blejnë shumë herë, shumë prona por jo në emrin e tyre. Nëse do të bëhej amnistia, për një moment do të dilnin pak individë që kanë gjysmën e Tiranës në pronësi, kjo do të ishte shumë tronditëse për vendin. Mund të jenë jo më shumë se 100 veta që kanë gjysmën e Tiranës në pronësi. Janë njerëz të rëndësishëm, kryesisht të lidhur me korrupsion ose drogë“.
Sipas saj, në vendin tonë qarkullojnë shumë para “të pista”. “Fatkeqësisht, dihet që shumica e të ardhurave në Shqipëri vijnë nga krimi, droga, korrupsioni dhe kompanitë që e deklarojnë pjesërisht fitimin e tyre.
Nëse do të kishim një ligj për parajsën fiskale, ku të gjithë të deklarojnë çdo të ardhur dhe pronë të tyre, ku të mos ndiqen penalisht por të paguajnë shtetin 20%, pra një lloj amnistie fiskale do të sillnin shumë para në qarkullim, biznesi do të kishte më shumë para.
Unë mendoj se do të ishte shumë tronditëse se çfarë do të dilte nga kjo amnisti fiskale“.
Top Channel