Viktima Flavio Osmani

16-vjeçari që ndërroi jetë sot në aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme në Sukth është Flavio Osmani, djali i Rrapo Osmanit, kryetarit të Njësisë Administrative Sukth, pjesë e Partisë Socialiste.

Top Channel ka siguruar foton e djalit dhe makinën me të cilën u aksidentua, tip “Renault“, pasi u përplas me “Benz”-in, e më pas me shtyllën.

I mituri 16-vjeçar, i cili po udhëtonte pa patentë ndërroi jetë pas disa orësh në spital prej plagëve të marra. Pas aksidentit është arrestuar drejtuesi i makinës tip “Benz”, Gj. B., 54 vjeç, banues në Durrës për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.

Pasditen e djeshme u përfshinë në aksident dy automjetet, ku mbetën të plagosur katër persona. I mituri po drejtonte makinën bashkë me 3 pasagjerë të mitur në makinë, E. B., 18 vjeç, B. M., 16 vjeç, dhe Z. B., 15 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe njëri prej tyre në koma.

Rruga në të cilën kanë qenë duke udhëtuar është e mbushur me gropa, por akoma nuk dihen shkaqet e aksidentit të ndodhur.

Makina tip “Renault” e aksidentuar

Njoftimi i policisë, Durrës:

Në vijim të informacionit të mbrëmshëm për aksidentin e ndodhur rreth orës 18:00, në Sukth, ju informojmë se ka ndërruar jetë pas disa orësh në spital shtetasi F. O., 16 vjeç. Në vijim të veprimeve nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u arrestua në flagrancë drejtuesi i mjetit tip “Benz”, shtetasi Gj. B., 54 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i djeshëm i policisë:

Më datë 27.02.2021, në orën 19:15, në Sukth, janë përfshirë në aksident rrugor mjeti tip “Renault” me drejtues shtetasin F. O., dhe mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin Xh.B., rreth 55 vjeç. Si pasojë e përplasjes janë lënduar drejtuesi i mjetit tip “Renault”,  shtetasi F. O., dhe pasagjerët në mjet shtetasit E. B., 18 vjeç, B. M., 16 vjeç, dhe Z. B., 15 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel