Analisti Ilir Yzeiri ka komentuar sondazhin e IPSOS për Top Channel, ku rezultoi se nëse zgjedhjet do të mbaheshin në 25 Prill, 49.5 përqind e të anketuarve thonë se do të votonin për Partinë Socialiste drejtuar nga Edi Rama, e cila në këto zgjedhje garon e vetme.

Ndërsa për partinë më të madhe të opozitës, Partinë Demokratike drejtuar nga Lulzim Basha do të votonin 39.3 përqind e të intervistuarve. Në vendin e tretë është LSI e drejtuar nga Monika kryemadhi me 5.1 përqind të votave. Yzeiri nuk ka hezituar të flasë me tone të ashpra për opozitën duke e cilësuar si të mbushur me fosile.

Yzeiri: Harta politike shqiptare është një hartë e vjetër.Harta politike shqiptare është e përbërë nga fosilet e forcave politike të krijuara në vitet ’90 herë si reflekse të një politike të humbur. Përshembull gjen akoma 7-8 parti duan të ringjallin Ballin Kombëtar dhe Lëvizjen për Legalitetin. Në këto 30 vjet, jo vetëm shqiptarët por e gjithë bota ka promovuar lëvizje të tjera që janë globaliste.  Po t’i shikosh, lëvizjet politike që kanë lindur në vende të tjera janë përgjithësisht që e kapërcejnë anën tradicionaliste dhe shkojnë drejt atyre që promovojnë njeriun.

Ne jemi shoqëri fantazmë dhe kemi mbetur të fantaksur pas të kaluarës nga pikëpamja politike dhe nuk prodhojmë dot ide, nuk prodhojmë dot lëvizje të reja. Nga kjo pikëpamje, LSI sipas meje sa herë që ka pasur raste kam thënë dhe e them që LSI nuk është lëvizje, por një organizim politik i një grupi që u krijua për të sfiduar PS dhe nisi karrierën duke bërë aleanca herë me PS, herë me PD në mënyrë që të realizojë dëshirën e saj pragmatike për të qenë gjithmonë në pushtet.

Ky faktor politik do të gjykohet. LSI nuk u ofron shqiptarëve asgjë. Këtë e shikoj tek alternativa që e ofron.

Dyrnjaja: LSI është e rëndësishme për opozitën. Është një gur mbështetës balance shumë i rëndësishëm për pushtetin e ardhshëm. Pra forca e LSI mund ta cojë PD në pushtet, forca e dobët mund ta mbajë në opozitë.

Yzeiri: LSI u shkëput nga PS. Elektorati i saj është i majtë dhe u krijua si lëvizje e gjerë e majtë. LSI për sa kohë kishte mbështetësit e majtë, pastaj kur u afrua në qeverisje me PD, e humbi identitetin e saj politik dhe kulturor dhe zgjedhësit nuk kishin pse të afroheshin më.

Ndonëse sondazhi i realizuar nga IPSOS për Top Channel nuk e përfshin koalicionin opozitar të arritur së fundmi, Yzeiri thotë se këto parti janë për muzeum, jo për zgjedhje.

Yzeiri: Fosilja është një vlerë, ato janë parti muzeale, janë parti për muzeum. Kanë kaluar 30 vjet dhe duhet marrë parasysh që nga viti 1990 kur këto forca politike u krijuan për të ringjallur forcat e lavdishme, nuk i ofruan publikut shqiptar asnjë zgjidhje.

Top Channel