Qytetarët kërkojnë masa më të rrepta/ Anketa në faqen web të Top-Channel. 64% duan karantinën e dytë

26/02/2021 15:15

Ndërsa Komiteti Teknik i Ekspertëve la në fuqi masat aktuale kufizuese, Top Channel, i cili prej gati një viti ndjek dinamikën e situatës së Covidit në vend, ka realizuar një sondazh.

Pyetja që bëhet është: Duhet vendosur karantina në vend, duke parë numrin e lartë të fataliteteve dhe të të infektuarve?

Nga rreth 2000 qytetarët që kanë marrë pjesë, rreth 64% e tyre kanë votuar pro vendosjes së një karantine të dytë në vend.

Qytetarët: Të shtrëngohen më shumë masat. Gjendja është e keqe, e rënduar dhe nuk është orari 20 me 6 që i mban qytetarët. Ne jemi vendi më liberal në glob, mund të them. Karantinë e plotë mendoj se është zgjidhja.

Vendet më problematike janë lokalet, autobusët, ku qytetarët nuk mbajnë maska. Por nëse në autobus hipën për punë apo hall, lokalet nuk ka pse të mbushen plot me njerëz, që nuk mbajnë asnjë distancë, ngjeshur me njëri-tjetrin.

Masat të mira janë, por ne nuk i zbatojmë ato. Unë jam në klasën e gjashtë dhe do ta vazhdojmë online dhe në shkollë mësimin.

Unë nuk para e mbaj maskën, mund të them që jam I paedukuar me këtë masë. Por unë i shmang autobusët, lokalet jo e jo, taksitë, njerëzit. Dal kur është kohë e bukur vetëm. Vëllanë, nusen e tij dhe nipin kisha me Covid, por e kaluan pa probleme të rënda shëndetësore.

Masat janë disfavorizuese dhe shkatërrojnë ekonominë tonë.

Ata që nuk i respektojnë më shumë janë të rinjtë.

Para disa kohëve u bë virale gjesti që bëri kancelarja gjermane Angela Merkel, që sapo konstatoi se harroi maskën në foltore, u ngrit dhe e mori menjëherë.

Qytetarët: Më bëri përshtypje shumë, sepse tregon kujdes. Më rigorozë janë gjermanët dhe masat atje.

Po ajo e bëri për të edukuar më tepër njerëzit, se kancelarja vetë e ka bërë me kohë vaksinën.

Top Channel