Stuhia “mbërtheu” Texas-in/ Ky është çifti shqiptar që “festoi” Shën Valentinin duke gatuar për ata që kishin nevojë. Gjesti i tyre bën bujë në mediat e huaja

24/02/2021 15:25

Ari Isufaj rrëfen në “Shqipëria live” si u organizua me bashkëshoren për të gatuar për 500 persona në nevojë.

Miliona njerëz në shtetin që rrallë herë përjeton temperatura të tilla, të ulëta, u përballën me mungesën e energjisë elektrike dhe temperaturat e acarta. Rreth katër milionë njerëz në Teksas mbetën pa. energji elektrike.

Ari Isufaj jeton prej 22 vitesh në Texas dhe thotë se kurrë më parë nuk ka përjetuar temperatura aq të ulëta. Ai tregon situatën e 14 shkurtit, kur kishte planifikuar të festonte me gruan, Blinerën. “U zgjuam në mëngjes, nuk kishte drita, ishte shumë ftohtë. Ishim shumë të papërgatitur. Në atë situatë menduam si do jenë ata më të moshuarit dhe ata me fëmijë. Pasi gatuam për vete pyetëm kush donte ushqim, dhe u befasuam kur shumica thanë po”.

Çifti shqiptar zotëron një restorant në Texas dhe ato ditë të ftohta dhe pa energji elektrike vendosi stafin dhe ambientin në dispozicion të personave që kishin nevojë për ushqim. “Në fillim njoftuam me mesazhe. Në ditën e dytë nxorëm njoftim te faqja në Facebook i restorantit. Ishin hapur qendra për t’u ngrohur në dy kisha jo larg restorantit. Dhe shkuam atje, dërguam ushqim, kishte shumë njerëz.
Nuk na e merrte mendja që kishte nevojë për kaq shumë ndihmë. Nuk rrinim dot në shtëpi atë ditë pa bërë diçka”.

Gjesti i tyre tërhoqi vëmendjen e mediave të huaja si Abc apo Fox News. Ari thotë se ka marrë shumë mesazhe nga të gjitha trojet shqiptare.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA