Historia frymëzuese e vajzave që zgjodhën sportet “burrërore” dhe rrëzuan steriotipet

24/02/2021 14:53

Disa sporte steriotipizohen si sporte “burrash” por rastet kur vajzat triumfojnë janë të shumta.

Griselda merret me kick boks dhe boks. Shpesh e paragjykojnë për trupin e vogël dhe se nuk mund ta bëjë këtë lloj sporti.
Por, Griselda me bindje thotë se mund të jesh peshë e vogël dhe të bësh kick box. “E vogël kisha shumë dëshirë të bëhesha police, kështu që mami më futi në një sport të tillë. Tani shkoj çdo ditë në stërvitje me biçikletë. Stërvitem 2 orë çdo ditë. Shumë shpejt do të kem një ndeshje në Francë, ku do të përfaqësoj Shqipërinë”, rrëfen sportistja për “Shqipëria live”. Thotë se vështirësitë kanë qenë të shumta.
Më thonë ku shkon, është vonë, ngaqë unë kthehem vonë nga stërvitja. Kur kam ndonjë të nxirë në sy më thonë të kanë rrahur, pse ikën prapë…” Megjithatë shton se në komunitetin ku jeton, në periferi të Pogradecit të njëjtët persona që e kanë paragjykuar në fillim, tani e vlerësojnë për çfarë ka arritur.

Xheni Kozi merret me gjimnastikë. “E kam nisur në moshën 6-vjeçare thjesht për të mbajtur trupin në formë, por me kalim e kohës u apasionova shumë“.
Xheni ka marrë vendin e parë në paralele në Itali dhe tregon se shpesh ka ardhur me medalje nga garat jashtë shtetit. Nga të gjitha veglat e gjimnastikës, traun e ekuilibrit e konsideron më të vështirin.
Ashtu si shumë sportistë në vendin tonë, edhe Xheni ndalet te mungesa e kushteve për t’u stërvitur. “Prej tre vitesh palestra është prishur por presim të ndërtohet një tjetër. Unë po përpiqem të kem palestrën time, dhe shoh që ka shumë interes nga të rriturit për të sjellë fëmijët“. Ajo thotë se ka shumë kërkesa por “disa prindër nuk i dërgojnë fëmijët se thonë gjimnastika të lë të shkurtër. Kjo nuk është fare e vërtetë!

Sintia Baxha është portiere në ekipin e Teutës.”E kam nisur futbollin në moshën 8-vjeçare. Në fillim prindërit dhe fisi nuk ishin dakord. Babi më thoshte që nuk do të kesh të ardhme, nuk do të të përshtatet, nuk kishin besim te unë por unë nuk ndalova asnjëherë së ndjekuri ëndrrën time“, rrëfen Sintia. Madje thotë se në ndeshjet e vajzave kundër djemve kanë fituar vajzat, duke hedhur poshtë idenë se “vetëm djemtë janë të aftë në futboll“.

Lorena Qorri ka dalluar me talentin e saj në sportin e hedhjes së gjyles dhe diskut.
Për momentin, ajo po ndjek shkollën e mjeshtërisë në Durrës dhe po ashtu thekson problemin e një ambjenti të përshtarshëm. “Për momentin po stërvitemi në stadium, se palestra është prishur“.
Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar Lorenën të punojë fort, të stërvitet çdo ditë për të arritur synimet e saj. Thotë se i vjen mirë që si ajo ka dhe vajza të tjera në këtë sport, edhe pse djemtë janë më të shumtë në numër. “Në ekipin tim janë 4 vajza dhe rreth 13 djem. Në fillim as familja nuk ka qenë shumë dakord, edhe të tjerët nuk më kanë mbështetur por ato fjalë më shumë më kanë nxitur dhe kam punuar akoma më shumë“.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel