Fiks Fare/ Gabojnë llogaritjet e tatimit të pagës, mjekja 72 vjeçare gjobitet me 50 mijë lekë dhe e shkarkojnë nga puna

24/02/2021 20:47

Ekonomistët  e spitalit të Delvinës nuk i mbajtën tatimin mbi page, 72 vjeçares mjeke i mbajnë menjëherë 500 mijë lekë nga paga dhe i shkëpusin marrëdhëniet e punës. Shkak sipas saj ishte zënka me sekretaren e spitalit, pasi nuk i hapi kartelë covidi për bashkëshortin.

Nexhmije Ibrahimi 72 vjeç nga Delvina, prej 45 vitesh me profesion mjeke ankohet në Fiks Fare se spitali i Delvinës i ndërprenë kontratën e punës dhe i vunë edhe gjobë 500 mijë lekë të vjetra. Ajo thotë se ndërprerja e saj e kontratës erdhi ngaqë kishte patur një debat me sekretaren e burimeve njerëzore, pasi kjo e fundit i kishte kërkuar t’i hapte kartele në spital të shoqit dhe për vete, gjë që nuk lejohej. ” Edhe pse ishte punonjëse e spitalit unë nuk do thyeja rregullat, nuk na lejohej të hapnim kartela dhe nuk e bëra” shprehet mjekja 72 vjeçare.

Pas këtij debati znj. Nexhmie  tregon se i është komunikuar gojarisht edhe ndërprerja e marrëdhënies së punës me spitalin Delvinë. ” Unë nuk e dija që kishin ardhur nga Vlora për një audit nuk më njoftoi njeri, vetëm pasi kishin marrë vendim më thërret drejtori në zyrë” tregon 72 vjeçarja. Aty ajo mësoi që përveç largimit nga puna duhet të paguante edhe shumën prej 500 mijë lekësh të vjetra, sepse nuk i kishin mbajtur tatim mbi pagë. Në fakt auditi  që ishte bërë kishte gjetur në gabim punonjësit e financës së spitalit, pra nuk ishte një gabim i mjekes.  Ajo e quan një  padrejtësi që i është bërë, qoftë me gjobën, qoftë edhe me largimin nga puna  për më tepër që ende nuk i kanë dhënë një motivacion për shkarkimin e saj. Në këto kushte ajo kërkoi ndihmën e Fiksit.

Fiksi iu drejtua spitalit Delvinë për të marrë një përgjigje më të plotë lidhur me ankesën e 72 vjeçares. Në spital fillimisht gazetarët kërkuan kreun e këtij institucioni, por edhe pse ishte orari zyrtar ai nuk ndodhej në vendin e tij të punës.  E vetmja që ndodhej në këtë institucion ishte nëndrejtoresha e cila u shpreh se e kishte sqaruar zonjën në lidhje me gjobën. Zyra e financës kishte gabuar në formulën e llogaritjes pasi ende të ardhurat e mjekes llogariteshin me pagën 30 mijë lekë në muaj. Por me pandeminë orari i punës i mjekes 72 vjeçare erdhi në rritje si rrjedhojë edhe të ardhurat, por që llogariteshin me formulën e vjetër. Auditi nxorri në pah gabimin dhe si rrjedhojë zonja figuronte si debitore pasi nuk ishte tatuar si duhet.  Kjo periudhë e përllogaritjes gabim kapte periudhën nga shtator 2019 deri shtator 2020, pra plot një vit. Dhe për një vit gabim nga ana e administratës mjekja Nexhmie Ibrahimi  duhet të paguaj 500 mijë lekë të vjetra menjëherë. ” Ata tek zyra e financës janë të rinj dhe unë si ekonomiste i kam ndihmuar, por ata nuk e kishin kapur gabimin as unë jo” shprehet nëndrejtoresha ” dhe tani duhet që këto lekë doktoresha t’i kthejë mbrapsht”. Pyetjes së gazetares se pse nuk ia mbajtën çdo muaj nga pak, nëndrejtoresha shprehet se atë do bënte por ishte e detyruar që t’ia kërkonte të gjitha pasi drejtori dhe burimet njerëzore e kishin njoftuar për ndërprerjen e punës së mjekes 72 vjeçare.

Përsa i takon urdhrit të  largimit ajo thotë se nuk përgjigjet për këtë, por ka dëgjuar se mjekes i ka skaduar licenca që në korrik dhe deri në janar nuk u bë rinovimi, ndaj edhe u pushua. Pyetjes se përse nuk u pushua që në momentin e mbarimit të licencës, nëndrejtoresha e spitalit shpjegon se e favorizuam me idenë e rinovimit të licencës, edhe pse ky favorizim zgjati plot 6-7 muaj. Mjekja kërkon t’i vihen në dispozicion urdhri i largimit, por nëndrejtoresha nuk e disponon dhe merr drejtorin në telefon. Ky i fundit i thotë të mos japë intervistë për Fiks Fare pasi nuk është e autorizuar. Kur nëndrejtoresha pyet edhe shefin e financës pasi edhe ai duhet ta ketë  urdhrin për të bërë heqjen nga sistemi edhe ky i fundit nuk e kishte, ndërkohë që punonjësit e burimeve njerëzore as nuk ishin në zyrë dhe as u përgjigjën në telefon.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA