Fitorja e Albin Kurtit sjell tone të tjera edhe në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por edhe legjitimitetin e nevojshëm për marrëveshje përfundimtare.

Brukseli pret kompromis dhe pragmatizëm nga Kurti. Kurti, që në fillim e informoi Brukselin dhe Beogradin, se do të ketë ndryshime në pozicionimin e Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin të BE-së.

Zyrtarët e BE reaguan ndaj njoftimit të Kurtit se dialogu me Beogradin nuk do të jetë ndër prioritetet kryesore të tij, duke thënë se të gjitha autoritetet e ardhshme në Kosovë duhet të “kenë qasje konstruktive për vazhdimin e dialogut me Beogradin“.

Rruga evropiane e Kosovës çon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Ne presim që autoritetet e reja të angazhohen në mënyrë konstruktive në vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe të shfrytëzojnë mundësinë e ofruar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse“, deklaruan shefi i Politikës së Jashtme dhe kryenegociatori i BE-së Josep Borrell dhe komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi. Zyrtarisht, BE thotë se do të presë formimin e një parlamenti dhe qeverie të re në Kosovë, në mënyrë që të fillojë bisedime serioze për vazhdimin e dialogut, të cilin Kurti nuk e sheh si prioritet të tij.

Jo zyrtarisht, vlerësohet se Albin Kurti, si kryeministri i mundshëm i Kosovës, duhet të ketë të qartë se çfarë nënkupton mandati i tij dhe procesi i dialogut për të ardhmen e Kosovës respektivisht për qytetarët që i besuan votën. Perspektiva evropiane e Kosovës dhe një “rrugë e shpejtë” e mundshme e pranimit në BE, me përmbushjen e reformave, është e mundur vetëm përmes “tunelit të dialogut”. Ky tunel tani duket i errët dhe plot probleme. Por në fund të tunelit shihet dritë, në formën e normalizimit të marrëdhënieve. “Në dallim nga lideri politik Albin Kurti, si burrë shteti, ai duhet të pranojë realitetin dhe artin e kompromisit, në mënyrë që t’u mundësojë qytetarëve që votuan për të atë që dëshirojnë, e kjo është e ardhmja evropiane“, thonë burimet diplomatike në Bruksel.

Top Channel