Përparim Kabo në Top Talk: Nuk na duhet rrotacion për interesa njerëzish, na duhet projekt i besueshëm

18/02/2021 17:34

Profesor Kabo argumenton se me të njëjtët kandidatë brenda partive politike nuk do të ketë asnjë ndryshim në vend.

Sipas Kabos, ka një perceptim të gabuar mbi rrotacionin politik në Shqipëri. “Pak shpresë kam për ndryshim cilësor për përbërjen e parlamentit, sepse në Shqipëri ka një perceptim të gabuar për rrotacionin. Rrotacioni politik nuk do të thotë riciklim i njerëzve. Nuk është çështja kush është i mirë nga të dy kandidatët. Problemi është, nëse ke ndenjur 8 vjet në opozitë, a ke sjellë ekipe të reja apo të njëjtët njerëz?! Ai që ka ndenjur 8 vite në pushtet dhe do të qëndrojë dhe 4 të tjera, do të rrijë me të njëjtët njerëz apo do të sjellë të tjerë? Pra, nëse riciklojmë mbetjet e politikës në këto 30 vjet, mund të bëjmë zgjedhje dhe çdo 4 muaj por asgjë nuk do të ndryshojë“.

Kabo e vendos theksin te domosdoshmëria e planit ekonomik. “Gjendja ekonomike, mirëqenia, prona, të ardhurat, janë faktori kryesor i ndjeshmërive njerëzore. Të tjerat kanë rëndësinë e tyre por ekonomia është baza. Kam bërë një vështrim të listave të deputetëve. Nuk shikoj financier, bankier. Them kush do t’i bëjë këto plane. Mund të jenë dhe në listat e ekspertëve por ku janë, dua t’i dëgjoj“.

Profesori thotë se në prag fushate zgjedhore, partitë politike premtojnë çfarë do masa dhe jo çfarë realisht mund të japin. “Në kushtet e zgjedhjeve, kur duan të marrin sa më shumë vota, të gjithë i drejtohen masës së gjerë, votuesit. Por, mënyra si iu drejtohen dhe çfarë iu premtojnë është jo vetëm e pandershme por edhe zhgënjyese në aspektin ekonomik. Premtojnë ulje taksash dhe rritje rrogash, por në një buxhet që hyjnë më pak para si mund të dalin më shumë para? Është si një buxhet familjar; nëse të ardhurat bien nuk mund të shpenzosh më shumë para“, thotë Kabo.

Top Channel