Si po festohet Viti i Ri në Kinë? Gazetari shqiptar: Urdhri i qeverisë për të mos udhëtuar ka rënë në vesh të shurdhër

15/02/2021 13:12

Gazetari shqiptar në Pekin, Edison Myrteza ka zbuluar se si po festohet ky Vit i Ri në Kinë duke thënë se ka rënë në vesh të shurdhër urdhri i qeverisë për të mos udhëtuar.

Në një lidhje për “Wake Up”, u shpreh se atraksionet turistike kanë qenë të tejmbushura, ndërsa njerëzit kanë filluar festimet në datën 11 Shkurt (Nata e Vitit të Ri).

Sipas ciklit kinez 12-vjeçar të zodiakut të kafshëve, viti kinez që fillon në 2021 është viti i demit. Festimet shumëngjyrëshe që bëhen në Kinë për Vitin e Ri, njihen gjithashtu si “Festivali i Pranverës”. Për kinezët, Viti i Ri është festa më e rëndësishme tradicionale, si festat e Krishtlindjeve për perëndimorët.

“Këtë vit nuk është dëgjuar më ai urdhri i qeverisë kineze për të mos udhëtuar apo për të mos qëndruar shumë persona në zona apo qytete të ndryshme. Duket se për më tepër, janë qytetarë jo vendas, por nga vende të tjera, të cilët kanë ardhur për të parë atraksionet turistike. Duket se ka rënë në një vesh të shurdhër urdhri i qeverisë. Atraksionet turistike kanë qenë të tejmbushura.

Viti i kaluar ka qenë Viti i Miut, ky është Viti i Demit. Orakulli kinez ka 10 shenjat, të cilat përsëriten, pra para 10 vitesh ka qenë Viti i Demit dhe ja ku është sërish. Viti i Miut ka qenë i keq për Kinën, por edhe për botën. Demi është shenja e forcës. Kush ka lindur në shenjën e demit do ketë një epërsi. 

Njerëzit kanë udhëtuar, masat janë marrë. Janë kontrolluar për kodin e shëndetit, temperatura. Brenda 4 ditësh vetëm shitja e biletave të kinemave ka pasur 680 milionë përfitime”, tha Myrteza.

Sa i përket vaksinimit, u shpreh se qeveria kineze ka dhënë licencën e dytë për një tjetër vaksinë.

“Pra kemi dy vaksina kombëtare. Duket se vaksina perëndimore me atë kineze kanë përafrim. Vaksina kineze ka arritur të ketë përqendrim të lartë, jo vetëm të numrit, por edhe të cilësisë. Kjo është parë shumë e nevojshme pasi edhe kompanitë e ndryshme perëndimore nuk e kanë dhënë dozën e nevojshme, ndaj janë hedhur sytë nga vaksina kineze. Rreth 39 vende kanë preferuar vaksinën kineze sepse ka edhe cmim të konsiderueshëm për tu blerë”, shtoi Myrteza.

 

Top Channel