Presidenti i vendit, Ilir Meta, nga Vlora ka reaguar për arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Meta është përgjigjur shkurtimisht pyetjeve të gazetarëve, duke thënë se e rëndësishme është që çdo njeri që shkel ligjin dhe abuzon me detyrën të ndëshkohet.

“Për mua është e rëndësishme që çdo njeri që shkel Kushtetutën, që shkel ligjin, që abuzon me detyrën të ndëshkohet.  Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi me regji, ndërkohë që në SPAK janë prej kohësh edhe kallëzimet e provat edhe për gjyqtarë të tjerë të nivelit më të lartë. Unë jam në këtë detyrë për të mbrojtur Kushtetutën, pluralizmin politik, për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Meta.

Duke u ndalur te zgjedhjet e 25 prillit, presidenti u shpreh se: “Çdo njeri duhet të dijë se fuqia e shqiptarëve është vota e tyre dhe askush nuk mund të ankohet ndaj qeverisë nëse nuk shpreh vullnetin e tij. Kjo është detyra ime dhe do ta bëj me bindje të plotë. Jam i sigurt se 25 prilli do të jetë ditë e rëndësishme dhe jo e zakonshme”.

Kujtojmë se, gjyqtarja Enkelejda Hoxha u arrestua ditën e djeshme, së bashku me disa zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese, pas një hetimi disa mujor.

Gjyqtarja Hoxha njihet për vendimet e saj ku shumë të dënuar janë liruar nga burgu. Ndërkohë mësohet se të arrestuarit po përgatisnin lirimin e një tjetër të dënuari, atë të Saimir Petanit.

SPAK ka lëshuar 10 urdhër arreste. Në Gjykatën e Krujës mes të arrestuarve janë edhe sekretarja Ela Mallkuçi avokati Aldo Tabaku. Po ashtu mes të arrestuarve ka edhe mjekë në burgje në burgun e Fushë Krujës.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka zbuluar skemën korruptive në të cilën është e përfshirë gjyqtarja Enkelejda Hoxha dhe 9 të dyshuar të tjerë.

Gazetarja Anila Hoxha raportoi se diskutimet e para nisën për të liruar Gazmir Nezajn, për të cilin gjyqtarja e rrëzoi kërkesën në tetor.

Burime për gazetaren Anila Hoxha thotë se më 15 shkurt, KLP pritet që të shkarkojë edhe prokurorin Bujar Memia, i cili dyshohet se ka heshtur për lirimin e të burgosurve nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Top Channel