Top Talk/ Çështjen e Detit me Greqinë ta vendosin shqiptarët me referendum

11/02/2021 17:37

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka folur në “Top Talk” për çështjen e Detit me Greqinë duke sugjeruar që shqiptarët ta vendosin me referendum se cfarë duan të bëjnë.

Idrizi mori rastin e Sllovenisë me Kroacinë dhe më pas u shpreh se duhet të mbetet në dorën e shqiptarëve nëse duan një zgjidhje tjetër.

Pyetje: Juve çfarë mendimi keni për marrëveshjen e 2009 të Lulzim Bashës, ministër të punëve të jashtme dhe të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë?

Idrizi: Besoj se është një marrëveshje që e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese duke përcaktuar disa vija të kuqe që mesa duket sot po shkelen. Kufijtë tokësorë dhe detarë të Shqipërisë, për të disatën herë janë të përcaktuar me akte relevante ndërkombëtare që fillojnë nga traktati i Firences në vitin 1925 dhe në vitin 1926, Komisioni Ndërkombëtar i Delimitimit, kush nuk di, kush nuk bën se mirë këtij shtetit tonë i mungon dhe deklarata e pavarësisë por mesa duket edhe tapiat e pronave. Le ta gjejnë librin e zotit Shaban Murati apo mund të pyesin Ksenofon Kristafin që e njohin të drejtën e detit shumë mirë.

Ajo marrëveshje ishte e gabuar dhe në titull dhe në përmbajtje sepse kur pala greke dedektoi që në atë zonë ekonomike ekskluzive kishte rezerva të mëdha nafte, i kërkoi Shqipërisë që të bisedonte, pra të kishte një marrëveshje për këtë gjë, çuditërisht Shqipëria filloi të diskutonte për ujërat territoriale. Pra çmenduria arriti deri këtu. Shumë veta e përmendin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por një pjesë e mirë nuk e lexojë sa nuk e kuptojnë që ishte e gabuar pjesa e diskutimit të ujërave territoriale, në të cilët Shqipëria ushtron sovranitet të plotë.

Edhe tani, e gjitha është përqendruar tek ZEE.

Pyetje: E ndalonte dot Rama Greqinë për të ekzekutuar atë të drejtë për ushtrimin e 12 miljeve detare?

Idrizi: Kjo është njësoj si të më pyesësh mua a mund ta ndaloj në shtëpinë time një hajdut. Padyshim që e ndalonte.

Po marr rastin Kroaci-Slloveni. I njëjti konflikt dhe debat. Sllovenia, për t’ia deleguar në Gjykata Ndërkombëtare çështjen e kufirit, bëri referendum kombëtar. Pra, populli i Sllovenisë vendosi që sovranitetin e vet për territoret t’ia jepte një gjykate tjetër.

Pyetje: Nëse ftohen njerëzit në referendum, duhet?

Idrizi: Pa dyshim. Nëse nuk bëhen të parat, të pyesim shqiptarët nëse e doni si e do Rama apo keni zgjidhje tjetër, në këndvështrimin tim.

Top Channel