Rastet e infektimit me variantin e ri, i cili konsiderohet më i rrezikshëm janë shtuar në Amerikë, sipas studimit.
Të infektuarit me këtë mutacion të Covid 19 janë dyfishuar javën e fundit në Shtetet e Bashkuara.
Përhapja e variantit, e njohur si B.1.1.7, ka bërë presion të shtuar në përpjekjet e vaksinimit në të gjithë botën. Qendra e SHBA-së për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ka parashikuar se ky variant mund të jetë mbizotërues deri në mars.
Raporti është një bashkëpunim midis disa studiuesve dhe shkencëtarëve. Megjithatë, numrat e rasteve të variantit të ri konsiderohen ende të ulëta në SHBA. Florida udhëheq me rastet e raportuara të B.1.1.7 me 187 që nga e enjtja, e ndjekur nga California me 145.
“Studimi ynë tregon se SHBA. është në një trajektore të ngjashme me vendet e tjera ku B.1.1.7 u bë me shpejtësi varianti mbizotërues i SARS-CoV-2, duke kërkuar veprim të menjëhershëm dhe vendimtar për të minimizuar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë Covid-19“, shkruhet në studim.
Ky lloj i ri është 35-45% më i transmetueshëm se llojet e tjerë të virusit aktualisht në SHBA., zbuloi raporti.
Kur CDC paralajmëroi për herë të parë për praninë e variantit të ri në SH.B.A. në mes të janarit, ai ishte i pranishëm në më pak se 0.5% të rasteve. Në fund të muajit, kjo shifër ishte rritur në 3.6%, sipas studimit.
Raporti vjen ndërsa pandemia në Shteteve të Bashkuara shënoi kulmin. Numri mesatar i vdekjeve ditore mbetet i lartë, rreth 3.000 në ditë, dhe spitalet mbeten nën presion të madh.
Varianti B.1.1.7, i zbuluar për herë të parë në Britani, është përhapur deri më tani në më shumë se 50 vende. Ashtu si me virusin origjinal, rreziku është më i lartë për të moshuarit dhe për ata me kushte të konsiderueshme themelore shëndetësore.
Ka pasur disa studime që ky variant është 30% më vdekjeprurës, por provat mbi këtë nuk janë të forta dhe të dhënat janë ende të pasigurta.
Vaksinat aktuale u krijuan rreth varianteve të mëparshme, por studimet fillestare kanë treguar që vaksinat Pfizer, Oxford-AstraZeneca dhe Moderna janë efektive ndaj variantit të ri.
Top Channel