Sistemi i ujit në Florida/ Një haker kompjuterik provon ta helmojë

09/02/2021 09:20

Një haker kompjuterik ka mundur të ketë akses në sistemin e ujit të një qyteze në Florida dhe është përpjekur të fusë atje një sasi të rrezikshme kimikatesh, thanë zyrtarët.

Hakeri për një kohë të shkurtër rriti sasinë e hidroksidit të sodiumit në sistemin e trajtimit të ujit në Oldsmar, por një punonjës e pikasi këtë dhe e ndali përpjekjen. Hidroksidi i sodiumit përdoret në sasi të vogla për të kontrolluar aciditetin por një sasi e madhe mund të shkaktonte probleme të mëdha në ujë.

Asnjë arrestim nuk është bërë ende dhe nuk është e ditur nëse hakerimi është bërë nga brenda apo jashtë SHBA. Një kompjuter që kontrollon sistemet e trajtimit të ujit në Oldsmar është komanduar në distancë të premten. Një operator në impiant pa një përpjekje për të siguruar akses në sistem, në mëngjes, por mendoi se ishte shefi i tij. Por, një tjetër përpjekje u bë më pas, dhe këtë herë hakeri kishte siguruar aksesin në softuerin e trajtimit dhe rriti përmbajtjen e hidroksidit. Operatori menjëherë e reduktoi nivelin.

Hidroksidi i sodiumit është përbërësi kryesor në substancat pastruese të lëngshme. Ai është shumë gërryes dhe mund të shkaktojë irritim në lëkurë dhe sy, si edhe humbje të përkohshme të flokëve. Gëlltitja e tij mund të shkaktojë dëmtime të gojës, fytit dhe stomakut.

 

 

Top Channel