BE, SHBA, Britania e Madhe, Franca e Gjermania e kanë kritikuar me tonët më të ashpra vendimin për të lënë në burg kreun e opozitës ruse, Aleksei Navalny.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken deklaroi se Uashingtoni do të flasë me të gjithë partnerët e tij për ta vënë Moskën përpara përgjegjësisë. Kancelarja Angela Merkel e cilësoi dënimin e tij si përtej “çdo ligjshmërie” e kërkoi që Navalny “të lirohet menjëherë”, ndërsa bëri thirrje të ndalohet gjithashtu dhuna kundër demonstruesve paqësorë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i kujtoi Rusisë detyrimet e saj ndërkombëtare. “Navalny duhet liruar pa asnjë kusht”, shkroi ajo në Twitter. Edhe presidenti i Këshillit të BE, Chalres Michel deklaroi, se BE nuk e pranon vendimin. “Drejtësia nuk duhet politizuar”, shkroi Michel. Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab tha se dënimi merret me shënjestrimin e viktimës së atentatit me helm, e jo nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve te tij. Qeveria ruse, sipas agjencisë RIA, deklaron se perëndimi nuk duhet të përzihet në çështjet e brendshme ndërkombëtare.
Një gjykatë në Moskë e dënoi Navalnyn me tre vjet e gjysmë punë të detyruar, sepse sipas saj ai ka shkelur kushtet e dënimit të një procesi gjyqësor të vitit 2014. Policia ndaloi sërish me qindra përkrahës të tjerë të kritikut të Kremlinit, të cilët kishin dalë për të protestuar.
Top Channel