Palestina të martën filloi fushatën e saj të vaksinimit kundër koronavirusit (COVID-19) duke filluar me punonjësit mjekësorë, bëri të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Personeli mjekësor përfshin ata që punojnë në njësitë e kujdesit intensiv, në qendrat mjekësore dhe spitalet që trajtojnë pacientët me COVID-19.
Ministrja e Shëndetësisë, Mai al-Kaila mori vaksinën në spitalin “Hugo Chavez” në Ramallah ndërsa stafi mjekësor që punon në njësitë e kujdesit intensiv u vaksinua me vaksinën Moderna.
Ministria shtoi se kategoria e dytë e popullatës palestineze që do të marrë vaksinën janë persona mbi moshën 60-vjeçare dhe ata me sëmundje kronike.
“Kjo fushatë do të përfundojë me vaksinën ruse Sputnik V, pasi 5.000 doza do të mbërrijnë në Palestinë brenda ditësh, përveç 37.000 doza nën iniciativën COVAX”, tha ministrja Al-Kaila.
COVAX është një iniciativë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të siguruar shpërndarjen e drejtë të vaksinave kundër COVID-19 dhe për t’i vënë ato në dispozicion të vendeve të varfra dhe me të ardhura të mesme që nuk kanë mundësinë për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe për para-blerjen e vaksinave.
“Qeveria palestineze ka blerë vaksinën britanike AstraZeneca dhe ajo do të mbërrijë në vend gjatë periudhës së ardhshme”, tha ministrja.
“Kjo fushatë do të vazhdojë derisa të arrijmë vaksinimin e 3.2 milionë njerëzve dhe kjo çështje do të zgjasë me muaj”, tha ajo.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve me koronavirus në Palestinë ka arritur në 180.018, përfshirë 2.032 vdekje dhe 169.191 të shëruar, duke përfshirë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Kudsin Lindor.
Top Channel