Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me të rinj të qytetit të Lezhës u është përgjigjur deklaratave të kreut të qeverisë Edi Rama i cili tha se bashkë me Bashën do e çonin LSI-në për skrap, por u tradhtua nga kreu demokrat.
Kryemadhi tha se LSI do ta çojë Ramën në azil se i vjen keq për të. Sipas saj ai po shkon vetë për skrap dhe se shqiptarët s’do ta votojnë më 25 prill.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit:
“Një nga problemet kryesore është keqqeverisja, është arroganca, është mashtrimi, ndërtimi i gjithë politikës dhe qeverisjes në bazë të mashtrimit.
Por, sot shqiptarët duan program, sot shqiptarët duan ide, sot shqiptarët vizion dhe ne sot jemi më të qartë se kurrë sepse kemi një program, kemi 5 prioritetet tona kryesore, të cilat ne duam ti realizojmë dhe do ti realizojmë në 5 muaj, në bashkëpunim edhe me të gjithë frontin tonë opozitar. Por nuk është më front opozitar, nuk është më opozitë e bashkuar, por janë të gjithë shqiptarët e bashkuar.
Prandaj shikojmë një kryeministër në ikje që turfullon me orë të stërzgjatura në televizion, i la dhe televizionet pa reklama, sepse ka dy orë e gjysmë që vetëm flet, i falimentoi më shumë se ç’janë. Dhe cili është programi i vetëm që ai ka? Me atë që kemi dëgjuar ne 8 vjet, programi politik i Rilindjes dhe i Edi Ramës ka qenë: ‘Të çojmë LSI-në për skrap’. Ky program i tij ka dështuar, po shkon për skrap për vete.
Kështu që edhe një nga pikat tona kryesore që ne themi dhe që sot është e domosdoshme, është fokusimi ynë te pesë prioritetet tona: tek arsimi, tek punësimi i mirëpaguar për të rinjtë tanë, krijimi i profesionistëve të rinj. Ajo që ndihmon edhe fuqizimin ekonomik të familjeve tona, rimbursimin e shpenzimeve në 5 për qind të faturave të tyre tatimore dhe pastaj edhe programi ynë ‘Nga bebja në bebe’ për të ndaluar shpopullimin me ritme të shpejta që është nxitur nga Edi Rama, për ta ç’bërë atë.
Teksa flasim për rindërtimin, faktikisht këtu janë tre pallate të shembura dhe vetë qytetarët lezhjanë janë prezentë, kur vetë kryeministri ka ardhur, ka prerë shiritin dhe ka thënë që do të ndërtojë pallate të reja, dhe kanë pesë muaj që nuk kanë parë absolutisht asgjë. Dhe jo vetëm kaq, por nuk kanë një kontratë, një letër të shkruar të zezë mbi të bardhë se ku do të jetojnë, cfarë do të marrin, ku janë shtëpitë e tyre dhe ku do të ndërtohen në të ardhmen. Dhe kjo është një nga pikat më problematike, kur flasim për rindërtimin, që është kthyer tashmë si një projekt fitimprurës për grupin e Dubait. Para 1 jave kishim darkën e Nusretit, dje kishim tabelën e pritjes së delegacionit të ministrave me oligarkët që shkonin përsëri në Dubai.
Pra, një nga problemet kryesor është orientimi anti-evropian që Rama kërkon ti japë Shqipërisë, gjë për të cilën unë jam e bindur se jo vetëm LSI, por gjithë shqiptarët dhe gjithë socialistët e vërtetë, cfarë duan? 99 për qind e tyre e duan Shqipërinë evropiane”.
Top Channel