Denar Biba dhe Çlirim Gjata japin komentet në lidhje me ligjin e dekriminalizimit dhe futjen personave me të kaluar kriminale në parlament.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri i bëri thirrje partive politike të filtrojnë kandidatët me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, për të penguar përfshirjen e personave me të kaluar kriminale.
Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sekretari për çështjen ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata thotë se PD-ja nuk ka përfshirë persona të kriminalizuar sepse vetë ishte nismëtare e ligjit të dekriminalizimit.
“Ne jemi plotësisht dakord me atë që ka deklaruar Kim . Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar përfshirja e njerëzve me të kaluar kriminale në garën për deputet.
Kjo deklaratë e ambasadores vjen sepse deri në 2015 kurrë nuk ka pasur deklarata të tilla. Por, u pa çfarë hyri në 2013 dhe kush i futi këta kriminelë dhe kush ishte nismëtari i ligjit të dekriminalizimit, ishte PD. Është një nga fitoret më të mëdha politike,jo thjesht të PD-së, por një nga fitoret më të mëdha politike të pluralizmit.
PD por edhe opozita, as nuk ka nxjerr dhe as ka ndërmend të nxjerrë të inkriminuar. Sepse ne ishim iniciatorët e ligjit të dekriminalizimit, nuk kemi ndërmend ta shkelim me këmbët tona. Do të kalojmë gjithçka në filtrim“.
Gjata kujton një rast, ku sipas tij, Rama iu kundërvu ambasadorit të mëparshëm të SHBA-së, Donald Lu, pasi ai bëri thirrje për mospërfshirje të krimit në politikë. “Në 2015-ën i tha dhe Bashës dhe Ramës për dy persona në secilën parti që ishin me të kaluar kriminale. Basha menjëherë i largoi nga gara dhe ia la Laçin dhe Përmetin në tavolinë PS-së sepse nuk kishte kohë për t’i zëvendësuar. I tha më mirë fitoje ti se sa të vendos unë kriminelë.
Ndërsa, Rama, edhe pse ia kërkoi ambasadori Lu, largimit e Roshit të Kavajës dhe atë të Krujës nuk bëri asnjë veprim. Roshi u shkarkua kur u arrestua nga prokuroria.
Edhe në zgjedhjet e 2017, dhe të 2019 ku ishte i vetë, sa kryetar i bashkie i dolën me të kaluar kriminale dhe sa të tjerë janë nën hetim.
Në këto kushte, ambasadorja bëri deklaratën që të mos përfshihen persona me të kaluar kriminale. Rama, si kundërpërgjigje, pas tre ditësh takoi një biznesmen në Vlorë, që ishte shkarkuar si deputet për shkelje të ligjit të dekriminalizimit”.
Konstitucionalisti, Denar Biba thotë se ligji është i rëndësishëm për të penguar futjen e kriminelëve, por nuk mjafton. “Legjislacioni është një instrument, i cili tenton të minimizojë sa është e mundur sjelljet negative. Nëse legjislacioni shikohet si shkopi magjik, që mund të zgjidhë çdo problem , është naivitet. Në asnjë rrethanë ligji nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problematikat.
Shqetësimi i ambasadores amerikane tregon se problematika nuk është zhdukur por është ende prezente. Mirë bën ambasadorja që bën presion mbi partitë politike që të mos përfshijnë persona me të kaluar të errët, por nuk duhet lënë e gjithë pesha legjislacionit. Është çështje e vullnetit politik”.
Biba jep këndvështrimin e tij se përse partitë politike përfshijnë persona me të kaluar të errët. “Partitë politike, nuk i duan elementët kriminale për teorinë e tyre në sallën e parlamenti, sepse një pjesë e tyre si kanë hyrë dhe kanë dalë. Partitë politike i përzgjedhin për shkak të muskujve dhe parave që kanë në terren. Nëse KQZ arrin ta monitorojë financimin e partive politike në fushatë, kjo do ta ndalojë në një këndvështrim tjetër hyrjen e këtyre individëve”.
Ish-zv. Kryetari i KQZ-së kujton se personat me të shkuar kriminale dolën nga të dyja partitë. “Elementët e inkriminuar nuk dolën vetëm nga radhët e PS-së por dolën edhe nga radhët e opozitës. Kjo është fakt. U penalizuan deputetë nga të dyja anët. Ambasadorja vëmendjen ua tërhoqi të dyja palëve. E theksoi mos e interpretoni kërkesën time si akuzë ndaj palës tjetër”.
Ndërkohë, Gjata thotë se Rama do të përpiqet të fitojë duke përdorur pikërisht kriminelët. “Nga Rama gjithçka pritet. Ka hapur luftë edhe me ambasadën amerikane, edhe me BE sepse nuk ia del dot pa ta, do të justifikojë hyrjen e kriminelëve. Ai është i humbur, po përpiqet të përdorë kartën e vjetër të kriminelëve”.
Top Channel