Bien infektimet në SHBA/ Më në fund pak shpresë në vendin më të goditur

01/02/2021 11:57

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Shtetet e Bashkuara është në rënie, ndërkohë që programi i vaksinimit vazhdon të zgjerohet.

Numri ditor i infektimeve në SHBA ka rënë me gati një të tretën në dy javët e fundit duke mbërritur në 145,000, ndërkohë që 95,013 persona janë duke u trajtuar në spital, më herët gjatë janarit, kjo shifër mbërrinte në 130,000.

Janari ishte  muaji më vdekjeprurës i pandemisë në SHBA, me më shumë se 95,000 viktima. Ashtu si pjesë të tjera të botës, edhe Amerika po nxiton të vaksinojë popullsinë e vet, megjithatë variantet tjera të koronavirusit po i rrisin shqetësimet mbi trajektoren e pandemisë.

Ndërkohë në Izrael, qeveria ka shtyrë masat e izolimit për të paktën pesë ditë tjera, teksa tenton të vendosë nën kontroll numrin e madh të infektimeve. Udhëtimet jo të domosdoshme dhe shumica e shkollave janë mbyllur teksa ky shtet përballet me izolim të tretë. Izraeli ka zhvilluar një prej fushatave më të shpejta dhe më të suksesshme të vaksinimit, e ka arritur të imunizojë një të tretën e popullsisë në vetëm një muaj.

Ky vend shpreson se do të vaksinojë pjesën më të madhe të popullsisë deri në mesin e muajit mars. Pavarësisht nisjes së këtij procesi, mesatarisht brenda ditës raportohen rreth 6,000 raste të infektimit me këtë virus, një prej shifrave më të larta në botën e zhvilluar.

Top Channel