Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj deklaroi se PD është në dëshpërim, duke komentuar deklaratat e opozitës në lidhje me përgjimet e Ndranghetës.

Sipas tij, puna e mirë e bërë është e vetmja përgjigje për ata që shpifjen e kanë kthyer në ngushëllim.

Veliaj: Shqipëria nuk mund të përbaltet për fushatë. Të thuash se Shqipëria është vendi i mafiozëve, të sajosh gënjeshtra për çdo tallagjar që flet në telefon, që fantazon gjëra që s’materializohen kurrë, që nuk kanë aplikuar dhe firmosur kurrë, do të thotë se je i dëshpëruar, kur bie kaq poshtë! Qëllimi ynë është të shkojmë lart dhe nuk i ngushëllojmë dot. Nuk është faji ynë që kishin 40 deputetë dhe i çuan në zero. Nuk është faji ynë që kishin 25 bashki, i çuan në zero! Nuk është faji ynë që kishin mbi 1 mijë këshilltarë bashkiakë, i çuan në zero! Nuk është faji ynë që s’janë ngritur ende nga gjumi. Kur je i falimentuar moralisht, nuk të ndihmojmë dot.

Veliaj, duke iu referuar sondazheve të zgjedhjeve tha se qytetarët nuk i besojnë më fabrikimit të shpifjeve.

Veliaj: Shohin sondazhet dhe fillojnë me shpifje, sajesa, rrena e mashtrime; shajnë dhe përbaltin Shqipërinë. Sondazhet tregojnë fare mirë se shumica e popullit nuk merret me baltë, as me llafe, nuk përçan dhe nuk shpif.

Deklaratat e kryebashkiakut Veliaj u bënë teksa ai vizitoi 3 familje në fshatin Shpat të Baldushkut, që hynë në shtëpitë e reja.

Top Channel