Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte “shumë i rrezikshëm”, deklaroi për gazetën franceze “Le Monde”, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak i mëshoi sërish idesë se dialogu i lehtësuar nga BE-së është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Prishtinës dhe Beogradit, ai tha se “asgjë nuk ka mbaruar derisa të ketë përfunduar vërtet”.

Në lidhje me rolin e Shteteve të Bashkuara në këtë proces, ai u shpreh se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden “ndien një përgjegjësi historike për shkak të angazhimit politik dhe njerëzor të SHBA-së në rajon”. I pyetur për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, Lajçak u përgjigj se vendet e rajonit ishin kundër “sepse kanë frikë se ngjarjet mund të dalin jashtë çdo kontrolli”.

Përveç kësaj, Bashkimi Europian, sipas tij, ka investuar shumë në politikën e “europianizimit dhe përfshirjes së Ballkanit në familjen europiane, që do të thotë ndërtimin e shoqërive demokratike multietnike” dhe “ridizajnimi i kufijve është në kundërshtim me atë ideal dhe do të nënkuptojë se ne kemi dështuar”.

Dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e bllokut europian ka nisur në 2011.Takimi i fundit në mes të krerëve shtetërorë të këtyre vendeve u mbajt shtatorin e vitit të kaluar, e që prej atëherë, nuk ka pasur më asnjë takim të nivelit të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA