Afrimi i datës të zgjedhjeve ka prishur “armë-pushimin” e deklaratave dhe kundër deklaratave të javëve të fundit, mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Ishte kreu i shtetit i cili lëshoi sot dy citime fshikulluese për qeverinë duke i kujtuar kryeministrit se nuk ka ndërmend të bëjë rrolin e spektatorit për 25 Prillin, paçka se kushtetuta ia kërkon të jetë mbi palët.

“Zgjedhjet duhet të ishin mbajtur me kohë. Përmbysje demokratike më 25 Prill 2021. Shqipëria nuk futet dot në thes nga një cetë me banditë, oligarkë dhe arrogant. Harrojeni. Më 25 Prill 2021 Shqipëria në dorë të shqiptarëve”.

Edhe kryeministri Rama në përgjigjen e tij përmendi fjalën thes plot tre herë.

“Ke të drejtë Ilir, Shqipëria nuk futet dot në thes, shumë mirë e paske thënë! Prandaj boll e përdore Presidencën e Republikës si thes për atë farë LSI-je dhe Presidentin e Shqipërisë si gojën e shqyer të atij thesi”.

Këto dy qëndrime këtë fund janari, paralajmërojnë ngritjen e temperaturës së barometrit politik mes presidentit dhe socialistëve. Por a do të ketë një pikë kulminante të kësaj temperature politike deri me 25 Prill? Politika shqiptare zor se do të zhgënjejë edhe kësaj here.

Top Channel