Kryeministri i vendit, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në Twitter për programin ekonomik të prezantuar nga PD.

“Programi i PD në 2021 si tramvaji i Tiranës në 2011. Gjumë të ëmbël!”, shkroi Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen pak minuta pasi kreu i PD, Lulzim Basha prezantoi programin ekonomik teksa premtoi se në çdo vit të qeverisjes së tij, 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim.

Ndër të tjera, premtoi minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët, përmes përmirësimit klimës së biznesit, dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Sa i përket pagës minimale, Basha premtoi se do ta çojë në 36 mijë lekë të reja në muaj.

Basha premtoi edhe anullimin e taksës 24 lekë të reja për litër mbi karburantin. Në prezantimin e programit ekonomik, Basha u ndal edhe tek taksat, për të cilat premtoi se do të ulë taksat mbi të ardhurat personale në 9%.

Gjithashtu theksoi se do të rikthejë taksën e sheshtë prej 9% dhe do të ulë sigurimet shoqërore në vlerën 18%. Një premtim tjetër që bëri Basha është edhe rritja e pensioneve me të paktën 5% çdo vit.

Top Channel