Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesat në lidhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të mos certifikuar kandidatët për deputetë që kanë pasur probleme me ligjin.

Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i Lëvizjes “Vetëvendosje”, tha se “PZAP deklaron pa asnjë bazë kushtetuese se neni 29 paragrafi 1 pika q është normë kushtetuese, dhe ju e dini se amandamentet kushtetuese bëhen në Kuvendin e Kosovës. Kjo është çështje ligjore dhe nuk është kushtetuese”.

Ndërsa, Kushtrim Xhemaili, nga Zyra për Informim e AAK-së konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo parti e ka dërguar në Gjykatën Supreme ankesën lidhur me vendimin e PZAP-së në lidhje me moscertifikimin e kandidatëve. Megjithatë, ai nuk dha më shumë detaje lidhur me përmbajtjen e ankesës.

Në vendimet e publikuara të martën, PZAP-ja njoftoi se ka refuzuar pjesërisht apelin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky organ, ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e pesë kandidatëve për deputetë të kësaj partie: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Albin Kurti nuk certifikohet për zgjedhje

Paneli po ashtu ka vendosur që Nisma Socialdemokrate të certifikohet si parti politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, por ka refuzuar kërkesën për certifikimin e 12 kandidatëve për deputetë: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, FIlloreta Bytyçi, Valentina Alijaja, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Adrian Nokaj.

Si në rastin e LVV-së, edhe për Nismën Socialdemokrate, PZAP-ja ka rezufuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, që kishte dërguar në KQZ me rekomandimin që kandidatët që kanë probleme me ligjin, të certifikohen për zgjedhje.

Edhe kandidatët e Nismës që janë cekur në vendim, nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë, thotë PZAP-ja.

Vendimi i njëjtë vlen edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku PZAP-ja ka thënë se kandidatët për deputetë: Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nuk mund të certifikohen dhe as të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

Ndërkaq, kandidatët e tjerë në listën për garë zgjedhore të këtij subjekti do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Orientimet ideologjike të partive, ndesh me përbërjet e listave zgjedhore

Në mbledhjen e mbajtur më 22 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të mos certifikuar listat me kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate dhe disa parti të komuniteteve joshumicë. Në këtë mbledhje, Nisma Socialdemokrate nuk u certifikua as si parti.

Ky vendim i KQZ-së nxiti reagime të shumta të partive politike, pasi vetë Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim kishte rekomanduar që të certifikohen listat zgjedhore të të gjitha partive.

Gjatë seancës së 22 janarit, anëtarët e KQZ-së miratuan listat me kandidatë që nuk ishin ndesh me ligjin apo të atyre partive, që kishin zëvendësuar emrat në listat e tyre pas verifikimit të kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar dhjetorin e kaluar, lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Avdullah Hoti, KQZ-ja ka ndërmarrë një proces të verifikimit të kandidatëve për deputetë, për të parë nëse ata nuk kanë probleme me ligjin.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje dërguar KQZ-së më herët gjatë këtij muaji, ka thënë se 47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin.

Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA