Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin, Ruçi: Shqipëria shërbeu si atdhe rezervë për hebrenjtë

27/01/2021 11:45

Mes politikanëve shqiptarë, edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka reaguar në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin.

Ai bëri thirrje për paqe mes palëve fetare në vend duke theksuar se Shqipëria vijon luftën kundër antisemitizmit. Ruçi nuk la pa përmendur se Shqipëria shërbeu si atdhe rezervë për hebrenjtë gjatë kohës së holokaustit.

Shqipëria është mjaft aktive dhe në sinergji me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në luftën kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen këtij fronti. Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të rajonit të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit.  Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, humanizmi mbi përndjekjet, vuajtjen e dhimbjen në vend të shkaktimit të saj të tjerëve. Historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë, dashurinë dhe humanizmin. Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët bota i njeh si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rrallë herë në histori. Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne jetërsojmë veprën e brezave para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta. Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin nuk është një ditë urrejtjeje, por dashurie; nuk është një ditë armiqsie, por miqësie; nuk është një ditë që ndan, por që bashkon; nuk është kujtimi i një dite lufte, por thirrja për një epokë paqeje. Është një ditë që fton e bashkon në pajtim të gjitha qytetërimet, komunitetet e besimet fetare, kombet, rajonet, racat, të gjithë njerëzimin”, tha Ruçi.

Top Channel