Avokatja e Popullit në Top Talk: Vetting-u devijoi nga misioni, shumica janë përjashtuar pa të drejtë

27/01/2021 17:08

Avokatja e popullit, Erinda Ballanca jep mendimin e saj për procesin e Vetting-ut në sistemin e gjyqësorit.

Sipas Ballancës, sistemi i gjyqësorit nuk ia doli të vetë pastrohej: “Vetting-u është një proces që ndonëse ka qenë i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare, dështoi të vetë pastrohej. Rezultati është larg pritshmërive dhe nuk e justifikon qëllimin për të cilin ky Vetting u krijua.

Gjyqësori erdhi në këtë pikë jo sepse masa më e madhe e gjyqtarëve ka qenë e korruptuar, por gjyqësori dështoi të garantonte vetëpastrimin dhe të krijonte besimin që duhet të kishte te publiku“.

Avokatja e Popullit thotë se pjesa më e madhe e gjyqtarëve, që “ngelën” në procesin e Vetting-ut janë shkarkuar pa të drejtë. “Është evidente që vetëm 10% e personave të shkarkuar janë larguar për një shkak që është qartë i përcaktuar në nenin 61, kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishin e pasurisë së ligjshme, përfshirë edhe personat e lidhur me të. Ky rregull nuk është zbatuar fare nga personat e drejtësisë

Sipas Ballancës ka disa arsye përse ky proces dështoi. “Është një nga proceset me më shumë kosto në shoqëri. Shtetit i kushton shumë të krijojë këtë trupë gjyqësore. Kjo trupë dështoi të jepte drejtësinë që ne kërkonim dhe që nga viti  2013 që u bënë ndryshimet kushtetuese, deri sot, që kanë kaluar 6 vite, nuk kemi arritur që drejtësia të jetë drejtësia e duhur. Madje po përballemi me probleme të tjera të drejtësisë që nuk i kishim më parë. Një numër i madh gjykatash nuk funksionojnë. Mënyra si po zbatohet ky proces ka kaluar parashikimin ligjor”.

Madje, Ballanca konsideron problem kushtetues faktin se avokatët që nuk kanë kaluar Vetting-ut nuk mund të marrin licensa të reja.

Ka një kufizim për ligjin për avokatinë ku është parashikuar që nuk mund të marrin licenca të reja, për ata që nuk kanë kaluar Vetting. Në gjykimin tim, kjo ka një problem shumë të madh kushtetues. Nëse si gjyqtar ke pasur kontakte me individë të papërshtatshëm normal që është e gabuar, por nëse ke pasur kontakte si avokat është normale sepse e ke për detyrë që të mbrosh çdo palë“.

Top Channel