Në kulturë bëhen kompromise, thotë autori dhe komuniteti artistik s’ka interes për kritikë.
Në librin e tij ai tregon lidhjen e tij me kritikën e artit para dhe pas viteve ’90. Aty flitet edhe pë r mungesat institucionale që ekzistojnë në Shqipëri në këtë drejtim.“Më është bërë natyrë e dytë kritika që në vitet ’69 që isha student. Gradualisht nga pasion m’u bë profesion, edhe më ka shoqëruar, si një farë muze. Kam qenë një njeri që kam dashur artin shumë, mbarova Institutin e Arteve edhe u bëra kritik. Deri më sot kam botuar rreth 30 libra. Ky libër ka një kohështrirje rreth 15 vitesh, ku unë kam selektuar vetëm 50 shkrime, që mund të qëndrojnë më gjatë në kohë”, shkruan Papagjoni.
Josif Papagjoni paralelizon kritikën zyrtare gjatë regjimit socialist, me atë çka ndodhi më pas me të pas viteve ’90.“Para viteve 90 kritika ishte zyrtare, kishte pushtetin e partisë shtet, të ideologjisë, ku kritiku s’dilte dot jashtë vijës. Kritiku ishte madje një prokuror, që mbrohej dhe mirëpritej, përgjithësisht i pakundërshtuar se shfaqej si mendim institucional. Por, mos të harrojmë se ishte një kritikë e ndotur, se merrej më shumë me ideologjinë. Një zgjatim i ideologjisë dhe partisë shtet. Por pas viteve ‘90 ne fituam lirinë, edhe kjo liri e çliroi kritikën nga kthetrat. Fitoi frymëmarrje dhe u bë më shumë e ndjeshme, më poetike”.
Studiuesi rrëfen se nisi të bënte bashkëjetesë me artin, duke e bërë më të perceptueshme në veprat e artistëve. Po, ku është e meta e kritikës sot?
“Është tek mungesa e përkrahjes, jo vetëm e shtetit, por edhe e shoqërisë. Pasi as komunitetet artistike nuk janë të interesuara që të ketë një kritike të d’lirë. Është e vështirë që një artist të pranojë dështimin. Sot të bëhesh kritik nuk ushqen dot familjen. Nuk kemi një shkollë kritike. Ka shkolla të posaçme, që janë për dramaturgjinë, tekstin dhe kritikën. Duhet krijuar një farë institucionalizimi i kritikës, që kritikën të jenë pjesë e revistave dhe gazetave. Kritiku nuk duhet vetëm të shkruajë bukur, duhet të ketë edhe karakter të fortë. Duhet të ketë një integritet të lartë moral. Të jetë i ndershëm dhe guximtar”, përfundon Papagjoni.
Të dhëna për librin
Lloji i botimit | Paper back |
pages | 780 |
ISBN | 9789928320100 |
Viti i botimit | 2020 |
Vendodhja e botimit | Tirane |
Gjuha | Shqip |
Tipi i publikimit | Libër |
Grupmosha e leximit | mbi 18 vjeç |
Statusi | I ri |
Numri i botimeve | I parë |
I ri | 1 |
Top Channel