Presidenti i Meksikës/ I fundit ndër liderët botëror i prekur nga Covid 19

25/01/2021 14:54

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador u bë lideri i fundit botëror i prekur nga koronavirusi, por siç tha ai, simptomat ishin të lehta.

“Me keqardhje ju informoj se jam infektuar me covid 19. Simptomat janë të lehta por ndërkohë i jam nënshtruar trajtimit mjekësor”, tha 67-vjeçari në një mesazh në mediat sociale.

Populisti majtist është parë rrallë herë me maskë në publik, përfshirë edhe konferencat e tij të përditshme për shtyp, dhe ka vijuar me aktivitetet e tij normale gjatë pandemisë.

Ai ka udhëtuar në pjesë të ndryshme të vendit dhe të premten vizitoi shtetin verior San Luis Potosi. Ai është kritikuar se ka qenë i ngadaltë në vendosjen e izolimit, në fillim të pandemisë dhe se ka vijuar të zhvillojë tubime dhe të përshëndesë  mbështetësit me shtrëngime duarsh dhe përqafime. Në 2013 ai iu nënshtrua një operacioni në zemër, pas një ataku kardiak.

Po ashtu ai vuan edhe nga hipertensioni, një faktor rreziku për covid 19. Obrador i bashkohet kështu liderëve të tjerë botërorë, mes të cilëve ish presidenti Donald Trump, presidenti brazilian Jair Bolsonaro dhe kryeministrit britanik, Boris Johnson, që janë prekur nga virusi.

Top Channel