Anton Jaunçaj tregon se prej 12 vitesh mbledh veshje e sende tradicionale në shtëpinë e tij në Michigan.

Kam 19 vite që jetoj këtu. Para 12 vitesh ka lindur si ide. Filluam të mbledhim disa instrumenta dhe veshje të folklorit që t’i njohin të gjithë mërgimtarët këtu në Michigan”, rrëfen Antoni në një lidhje direkte nga muzeu i tij për “Shqipëria live”.

Muzeun e ka quajtur Oda e Rapshës së Hotit, pasi ai vetë është nga kjo zonë. Antoni tregon se shumë objekte ia kanë dhuruar shqiptarë të tjerë në Michigan, pasi kanë vizituar muzeun.

Ai tregon cili është sendi më me vlerë në muze. “Të gjitha sendet kanë shumë vlerë për mua, por do të veçoja një xhubletë të Malësisë së Madhe. Është trashëgimi e familjes sime dhe është rreth 2000 vjeçare. Edhe lahuta e Malësisë ka shumë vlerë”.

Shumë sende në muzeun e tij i përkasin zonës së Shqipërisë së veriut, por Antoni synon të koleksionojë veshjet kombëtare të të gjitha trevave.

Antoni është babai i 5 vajzave dhe tregon se ia ka mësuar elementët tradicionale të atdheut. “Vajzat janë valltare, luajnë valle tradicionale të Malësisë. Njëra prej tyre ka shumë qejf të veshë xhubletën se do të duket si Shote Galica ndërsa njëra pëlqen ato veshjet e vashave si zana, që janë veshje tipike ilire”.

 

FOTO GALERI
1/10
Antoni tregon xhubletë që thotë është rreth 2000-vjeçare

Top Channel