​Ekspertët: U shuan 60 mijë vende të punës dhe mijëra biznese, s’ka rimëkëmbje me skema sociale

24/01/2021 16:27

Kosova nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike vetëm me shpërndarje të buxhetit për kategoritë sociale dhe me një mbështetje të mangët për bizneset dhe punëtorët e afektuar nga pandemia Covid19.

Kjo formë e mbështetjes është kritikuar nga njohësit e ekonomisë, të cilët kërkojnë nga kjo qeveri dhe ajo që do të vije pas zgjedhjeve të 14 shkurtit një platformë serioze që reflekton me situatën reale nga goditja e pandemisë në shuarjen e mbi 60 mijë vendeve të punës, bankrotimin e mijëra bizneseve dhe humbjen e tregjeve.

Profesori universitar Muhamet Sadiku ka thënë për KosovaPress, se Qeveria ka bërë përpjekje të krijojë një program të rimëkëmbjes ekonomike, por siç thotë ai në këtë program janë të përfshira vetëm burimet nacionale, derisa mungojnë edhe mjetet nga fondet e Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe të institucioneve tjera financiare ndërkombëtare.

“Ne në këtë moment nëse dëshirojmë të japim përgjigje integrale ndaj kësaj situate, duhet ta kemi të hartuar një program integral të rimëkëmbjes ekonomike të bazuar në burimet e vendit dhe burimet e jashtme, gjë e cila nuk ka ndodhë… qeveria e Kosovës ka siguruar nëpërmes sistemit të ri-shpërndarjes së buxhetit një asistencë sociale për disa grupacione, për disa shtresa të shoqërisë, mirëpo kjo është larg nga ajo që Kosova ka nevojë. Kosovës nuk i duhet një rimëkëmbje një vjeçare, por neve do të na duhet një rimëkëmbje ekonomike disa vjeçare për t’u kthyer Kosova në pozicionin ekonomik të para pandemisë duhet të kalojë një periudhë që duhet të shoqërohet me qeverisje efektive… Kjo është mënyra e vetme që Kosova të shkëputet nga kjo situatë shumë e pa volitshme e shoqëruar gjithnjë me humbjen e vendeve të punës, me bankrotimin e shumë bizneseve, me humbjen e tregjeve, dhe e tëra kjo do të ndikojë në një shtrëngim të Bruto Produktit Vendor të dhe shtrëngim financiar”, thotë Sadiku.

Sa i përket pritjeve nga zgjedhjet e parakohshme, profesori Sadiku po ashtu thekson se Kosovës i nevojitet një qeverisje më efikase dhe llogaridhënëse.

“Për fat të keq për një kohë të gjatë Kosova ka votuar për lider, është votuar mbi baza familjare, fisnore dhe rajonale, mirëpo Kosova ka filluar nga brenda të ndryshojë. Kemi paraqitjen të një klase të re politike, një gjenerate të re, e cila do ta kuptoj llogaridhënien, sepse Kosova deri tash ka qeverisur pa llogaridhënie, prandaj është e mundur që në zgjedhjet e ardhshme gjithnjë më tepër të flitet për programe të zhvillimit, për programe ekonomike, për mirëqenien, për objektivat sociale dhe për pozitën integruese të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. Unë besoj se këto zgjedhje paraqesin një pikë kthese, sepse popullatë në përgjithësi e ka kuptuar esencën e progresit ekonomik dhe social….Sepse sipas Bankës Botërore rreth 7-8 përqind e kosovarëve në ditë kanë për të konsumuar më pak se dy dollar për një person. Kjo është një situatë e pa durueshme”, thekson ai.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës OAK, Skënder Krasniqi thotë për KosovaPress, se nëse edhe më tej nuk merren parasysh kërkesat e bizneseve, viti 2021 do të jetë edhe më vështirë në aspektin ekonomik.

“Në rast se vazhdohet me injorancën e kërkesave siç është vazhduar dhe ka ndodhur në 2020, gjendja do të jetë ekstrem më e rëndë se 2020-ta. Po shpresojmë që institucionet e Kosovës, të reja, por edhe këtë aktualisht deri në ndërrimin e tyre, do ti kenë më shumë parasysh kërkesat e bizneseve, do të koordinohen më shumë me ne, në mënyrë që të përkrahet biznesi, të krijohet ofertë për t’i mbajtur vendet e punës, sepse kemi rënie drastike të numrit të punëtorëve, kemi rënie të të hyrave edhe të bizneseve, por edhe të shtetit, të cilat në mungesë të qarkullimit të bizneseve nuk paguajnë shtetin, por paguajnë aq sa kanë qarkullim”, thotë Krasniqi.

Krasniqi po ashtu thotë se në tremujorin e dytë të vitit 2020, humbën punën mbi 60 mijë punëtorë, të cilët ende kanë mbetur pa mbështetje sikurse bizneset të cilat kanë pësuar nga pandemia Covid-19.

“Nuk duhet gjë tjetër vetëm që shqyrtimi I tyre (kërkesave)në diskutim dhe aprovim në mënyrë që të tejkalohet kjo krizë e madhe dhe e rëndë në të cilën janë bizneset, por janë edhe punëtorët dhe familjet të cilat nuk përkrahen kur mbesin pa punë. Ndërkohë vetëm në tre mujorin e dytë të vitit të kaluar 60 mijë vende kanë mbetur pa punë, 60 mijë familje kanë mbetur pa të ardhura dhe asnjë cent nuk janë mbështet si ta papunë. Pra, kjo është një goditje e rëndë që iu ka ndodhur qytetarëve, punëtorëve, familjeve, por edhe bizneseve të cilat e kanë shumë të vështirë në rast se nuk ka përkrahje të mbështeten dhe rimëkëmben nga goditja e rëndë e cila ka ndodhur”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i OAK më tej thotë se duhet vullnet më madh institucional për zbatimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike në mbështetje të bizneseve dhe punëtorëve./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA