Kina, alarm për vitin e ri hënor/ Pekini teston 2 milionë banorë

22/01/2021 15:43

Viti i Ri hënor në Kinë është në 12 shkurt, dhe zyrtarët vendas janë vene në gjendje alarmi. Në këtë periudhe, ndodh eksodi më i madh në vend, ku miliona kineze kthehen në shtëpitë tyre duke iu larguar qendrave industriale.

Në 40 ditët e ngadalësimit të aktiviteteve prodhuese lëvizjet shtohen në një mënyrë drastike, që tani në mesin e pandemisë, përbën një shqetësim të veçantë për autoritetet e shëndetësisë. Qeveria kineze këtë vit është përpjekur ta shmangë eksodin, por nuk ka gjetur guximin ta ndalojë me urdhër të prerë.

Lidershipi vetëm po i këshillon punonjësit publikë të mos lëvizin, dhe pritet që këtë radhë, numri i udhëtimeve të bjerë me 40%. Por sërish menaxhimi i 1.6 miliardë zhvendosjeve që pritet të ndodhin, do të jetë një makth i vërtetë shëndetësor.

Brenda dy ditësh, të premten dhe të shtunën, pritet t’i nënshtrohen testit të tamponit 2 milionë vetë në Pekin ndërsa shtypi vendas ka nisur t’i përgatisë tashmë të gjithë banorët e kryeqytetit të jenë në gatishmëri për thirrjen që do t`iu mbërrijë. Urdhri i parë që pati dhënë presidenti Xi Jingpin janarin e kaluar ishte të “ mbrohej me çdo kusht kryeqendra e vendit, duke e shndërruar atë në një fortesë sanitare”.

Top Channel