Zgjedhjet e 25 prillit/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri takim online me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në vend

20/01/2021 12:21

Thuajse tre muaj nga dita e zgjedhjeve, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, organizoi sot një takim të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Shqipëri për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet lidhur me zgjedhjet kuvendore të 25 prillit. Në krah të tij ishte ambasadorja suedeze, Elsa Håstad, vendi i së cilës mban Kryesinë e Radhës të OSBE-së.

Prezenca i njohu përfaqësuesit e Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare me zhvillimet kryesore të reformës zgjedhore, si ndryshimet e Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera. Po ashtu, Prezenca i informoi ata lidhur me projektet në ndihmë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe aktorëve të tjerë vendas, gjatë kohës së mbetur deri në zgjedhje.

Për të lehtësuar dialogun mes aktorëve vendas dhe bashkësisë ndërkombëtare për çështjet e reformës zgjedhore, Prezenca ftoi në takim Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Ai i njohu pjesëmarrësit me përgatitjet e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve, veçanërisht lidhur me përdorimin e teknologjisë, mundësimin e votës së emigrantëve shqiptarë dhe vëzhgimin e rasteve për keqpërdorimin e mundshëm të burimeve njerëzore për qëllime elektorale. Ai iu përgjigj edhe pyetjeve të ambasadorëve. Po ashtu, Celibashi foli edhe për sfidat me të cilat përballet KQZ-ja lidhur me ngritjen me vonesë të strukturës së re të KQZ-së dhe presionin mbi punën e institucionit që shkakton koha e kufizuar deri në zgjedhje.
 
Pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre të plotë për KQZ-në dhe nxitën Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe aktorët e tjerë që të bëjnë më të mirën për të zhvilluar zgjedhje në përputhje të plotë me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.
 

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA