Vuçiç merr vaksinën kineze, Serbia nis fushatën masive, e para në Europë që zgjedh Sinopharm

20/01/2021 01:27

Serbia nisi të martën një fushatë masive vaksinimi dhe u bë vendi i parë Evropian që përdor vaksinën kineze Sinopharm.

‘Kjo është e vetmja mënyrë për tu kthyer në jetën normale. Dua t’i them të gjithë qytetarëve që nuk kanë asnjë arsye të dyshojnë. Këto vaksina janë të sigurta, cilësore dhe efikase dhe mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve’- tha Loncar, ministër i Shëndetësisë.

Serbia i mori vaksinat të shtunën, me një milionë doza që erdhën me një avion të posaçëm. Kjo është vaksina e tretë anti-covid që përdoret në vend, pas asaj të Pfizer dhe Biontech dhe Sputnik V të Rusisë. Presidenti Aleksander Vuçiç njoftoi më herët të martën fillimin e fushatës masive të vaksinimit dhe tha se injektimet do të bëheshin në rreth 300 qendra në qytetet më të mëdha të Serbisë. Vetë Vuçiç do të marrë vaksinën e Sinopharm në fundjavë.

Serbia siguroi mbi 1 milionë doza të tre vaksinave dhe pranoi kushtet për shpërndarjen e gjashtë milionë dozave shtesë, tha kryeministrja Ana Brnabic. Sipas të dhënave, Serbia është i pari vend Evropian që aplikon vaksinën e Sinopharm. Vendi kandidat për anëtarësim në BE, që po ashtu ka lidhje të ngushta politike me Moskën dhe Pekinin, nisi vaksinimin me vaksinën e Pfizer dhe Biontech më 24 dhjetor dhe Brnabic u bë e para që e mori atë.

Sinopharm thotë se vaksina e saj është 79 për qind efikase kundër koronavirusit të ri. Një tjetër vaksinë kineze, Coronavac po aplikohet në Turqi. Serbia ka rreth 380 milionë infektime dhe mbi 3700 viktima nga koronavirusi i ri. Deri në mes të janarit rreth 20500 persona janë vaksinuar në vend sipas shifrave zyrtare.

Top Channel