Operacioni ndërkombëtar/ Kush është kreu i bandës ‘Tony G’ që ia mbathi për Shqipëri, përfshiu edhe kunatin në rrjetin e drogës

20/01/2021 10:40

Një operacion ndërkombëtar i drogës u zhvillua në Tetor të vitit të kaluar dhe u arrestuan gjashtë persona në Hollandë. Ata do të dalin sot para gjykatës pasi akuzohen për përfshirje në një organizatë kriminale.

Organizata thuhet se ka lidhje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Spanjën. Autoritetet spanjolle gjetën rreth 13,000 bimë kanabisi në vende të ndryshme në zonën e Barcelonës.

I kërkuari kryesor është një shqiptar, i identifikuar si Dejvi G, 37 vjeç, por njihej ndryshe si Tony G. Ai dyshohet të jetë kreu i organizatës pasi menaxhoi kompaninë “Alba Car” me bazë në Beek, ku u krye një bastisja e policisë dhe u sekuestruan disa makina luksoze, mes të cilave edhe një Ferrari. Lidhjet e shqiptarit me tregtinë dhe krimin u zbuluan nga bisedat telefonike. Duket se e ndjeu se do të kishte një operacion dhe u zhduk para arrestimeve, ndërsa ka dyshime se është arratisur nga Hollanda drejt Shqipërisë, shkruajnë mediat e huaja.

Një tjetër udhëheqës i organizatës është Houman E., 30 vjeç, me origjinë nga Irani. Ai është arrestuar dhe nga hetimet është zbuluar se komunikonte me Dejvin për marrëveshje të ndryshme. Në seancën gjyqësore, do të jetë edhe kunati i Dejvit, i identifikuar si Ervis V., 35 vjeç. Ai është me origjinë shqiptare dhe dyshohet të jetë krahu i djathtë i kryekapos ‘Tony G’.

Ai akuzohet vetëm për pjesëmarrje në organizatën kriminale. E njëjta gjë vlen edhe për Abdullah Al A. 25 vjeç, me origjinë nga Siria.

Të tjerë të arrestuar janë:

Raoel dhe Sergio – Sergio, 68 vjeç nga Maastricht pretendohet se kërkonte lokale në emër të organizatës për të qenë në gjendje të mbillte lëndë narkotike, ndërsa Raoel, 30 vjeç sigurohej që lokalet të merreshin me qira. Përveç pjesëmarrjes në organizatë, dyshja dyshohet se ka falsifikuar dokumente për të marrë me qira lokalet.

Bagotti – I dyshuar i gjashtë është arrestuar kohët e fundit në Hollandë. Edhe ai është me origjinë shqiptare dhe i përket moshës 37-vjecare. Ai u arrestua në Greqi më 17 Dhjetor dhe mbërriti në Hollandë ditën e hënë, ndaj nuk do të jetë pjesë e seancës së sotme gjyqësore.  Të premten gjyqtari hetues do të vendosë nëse ky i dyshuar do të mbetet në paraburgim.

Top Channel