Fiks Fare/ “Po vdes, dua të dhuroj 985.000 euro”, familja nga Mamurrasi mashtrohet duke paguar disbursim 370 euro!

20/01/2021 20:50

“Dua të dhuroj 985.000 euro. Emri im është zonjë Viviane. Unë nuk mund të jetoj gjatë në këtë tokë. Kam humbur burrin dhe nënën në aksident. Unë dëshiroj ta dhuroj këtë shumë për të gjithë ata që kanë nevojë”.

Ky është një mesazh që qarkullon në rrjete sociale, ku kërkohen familje “përfituese” e kësaj shume. Dhe, një familje nga Mamurrasi ka rënë pre e këtij mashtrimi, pasi ka paguar në total 370 euro, që duhet të “përdoreshin” për të disbursuar këtë shumë!

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua një familje nga një fshat i Mamurrasit, e cila thotë se kanë rënë në kontakt me disa persona që donin të dhuronin këtë shumë, pasi zonja pretendonte se ishte në ditët e fundit të jetës. Ajo thotë se shuma që duhet të përfitonin ishte plot 985.000 mije euro. “Në fillim na kërkuan 312 euro gjoja për të rregulluar letrat. Ne nuk patëm atë shume dhe nisëm, megjithë lekët e komisionit të bankës, 100 euro. Ia dërguam këtë shumë dhe ata na kërkuan sërish 500 euro. U thamë se nuk kemi më shumë. Më pas na kërkuan 250 euro, pasi me këtë shumë bëhej edhe kalimi i të gjithë shumës. Në total, megjithë komisionin, kemi paguar 370 euro. Këto shuma i kemi paguar në bankë dhe pikat e transfertave të parave” thotë zonja, e cila ka edhe mandat pagesat për emrin Maria Del Mar.

Më tej pohon se e kuptuan që ishte mashtrim, pasi ata po kërkonin shuma të tjera dhe të gjitha me justifikonin se janë për disbursimin e shumës totale. Zonja pohon se të gjitha komunikimet i kanë në e-mail. “Na kanë çuar disa kontrata që është me një avokat në Francë. Njëherë hiqeshin sikur ishin në Francë, njëherë në Spanjë. Përdorin emra të ndryshëm” përfundon zonja.

Në fakt, të tilla mashtrime janë të njohura edhe për institucionet ligjzbatuese. Policia ka bërë disa operacione, ku ka arrestuar disa shtetas me akuzën e mashtrimeve kompjuterike. Madje, janë bërë edhe disa apele për shqiptarët që të mos bëjnë pagesa te njerëz të panjohur, pasi janë mashtrime. Dhe, skema të tilla ka me dhjetëra në internet apo në rrjete sociale. Fiks Fare bisedoi me ekspertin Tomi Kallanxhi, i cili pohoi se “nuk mund të ngrihesh një ditë dhe të bëhesh i pasur pa punuar”. Ai apelon të gjithë që të kenë kujdes, mos të paguajnë njërës me emra të dyshimtë, apo edhe në vende të Afrikës. Më tej shton se janë disa skema, si rasti konkret, i cili është tipik mashtrimi, apo edhe me whatsupp, facebook e instagram. Shqiptarët dërgojnë te persona të panjohur të dhëna personale apo bankare. Më pas, paguajnë edhe shuma për disbursime të shumave “të fituara”.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA