Kur humbet luftën me natyrën! Qytetet nëpër botë që po “gllabërohen” nga deti (FOTO)

19/01/2021 10:36

Të vendosur në vijën e parë të ndryshimeve klimatike, komunitetet e zonave bregdetare më të cenueshme prej saj në botë përballen me një të ardhme të pasigurtë.

Detet e oqeanet po i afrohen sot rrezikshëm disa qytete të botës, te pllakosura nga ana tjetër edhe nga erozioni. Duke nisur më qytetin mesjetar të Bonifacios në Korsikë, i cili e ka përballuar me sukses në rrjedhën e kohës furitë e nënës natyrë, por sot për shkak të rrymave të forta, erërave të dhunshme e sidomos rrëshqitjeve të shpeshta të tokës, është më I kërcënuar se kurrë.

Bazamenti i shkëmbit mbi të cilin Bonifacio ngrihet është gërryer nga erozioni, ndërsa fuqia e erës bëri që në 2019-tën të shembej një pjesë e fortesës së lashtë duke detyruar autoritetet të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme. Një mot më i butë nuk është më i mirë për të gjithë. Për komunitete si Happisburgh në bregun lindor të Anglisë, ai nënkupton stuhi më të egra e më të shumta në numër, dhe dallgë më të forta e më të dëmshme. Duke luftuar për mbijetesë përballë detit, kjo qytezë ka humbur prej dallgëve të paktën 35 shtëpi gjatë dy dekadave të fundit. Vija bregdetare e Kalifornisë është një prej hotspoteve më të mëdha të erozionit në botë.

Gati tre të katërtat e saj janë sot pre e erozionit dhe qyteti që po e vuan më shumë këtë fenomen eshtë Pacifica, pranë San Franciskos. Blloku i apartamenteve le Signal në Francë është kthyer në foto posteri për efektet e ndryshimeve të klimës. I ndërtuar në vitet 60`, sot pushtimi i tij nga deti duket i pashmangshëm. Nuk është më e mirë gjendja as për Odesan në Ukrainë. Qyteti i tretë më i populluar i vendit gjendet në një vijë bregdetare të pllakosur nga rrëshqitjet e dheut dhe strukture më të dobëta të tij, sidomos ato të ngritura mbi tokë argjilore, janë praktikisht në mëshirën e detit.

FOTO GALERI
1/21

Top Channel